Veterani i UÇK-së, Agim Pllashniku fiton ndaj ‘Ibër-Lepencit’, gjykata urdhëron kthimin e tij në punë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar padinë e veteranit Agim Pllashniku ndaj Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, duke e vlerësuar të kundërligjshëm vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së tij të punës.
Me aktgjykimin e 28 korrikut 2026, gjykata ka anuluar vendimet e ndërmarrjes për ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe ka obliguar “Ibër-Lepencin” ta kthejë Pllashnikun në vendin e punës “Zyrtar i Autoparkut”, në kushtet e kontratës së tij të punës.
Sipas aktgjykimit, ndërmarrja është obliguar t’i paguajë Agim Pllashnikut pagat e papaguara për periudhën nga 31 korriku 2025 deri më 16 prill 2026, në shumën prej 8 647.81 euro, bashkë me kamatën ligjore prej 8 për qind dhe detyrimet për kontributet pensionale e tatimin.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu pagesën prej 1 163.25 euro për çdo muaj, nga dita e nxjerrjes së aktgjykimit deri në ekzekutimin e tij.
Në arsyetimin e saj, gjykata ka konstatuar se nuk janë dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme shkeljet disiplinore të pretenduara nga punëdhënësi dhe se nuk janë respektuar në tërësi procedurat ligjore për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
“Ibër-Lepenc” është obliguar po ashtu t’i paguajë paditësit 748 euro për shpenzimet e procedurës kontestimore.



