Aktakuzë ndaj katër zyrtarëve të MI-së, paguan 4.87 milionë euro mbi vlerën e parashikuar për mirëmbajtjen e urave
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj katër zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas Prokurorisë, B.R., B.H., R.Q. dhe N.L., gjatë periudhës nga 2 gushti 2017 deri më 26 nëntor 2020, në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare në lidhje me inicimin, prokurimin, menaxhimin, autorizimin, certifikimin dhe pagesën e kontratës publike “Mirëmbajtja e Urave në Rrugët Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitet 2017–2019”.
“Të pandehurit akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, Rregulloren dhe Udhëzimin Operativ për Prokurim Publik, si dhe me Rregullën Financiare për Shpenzimet e Parasë Publike, pasi, ndonëse aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me vlerë të parashikuar prej 500 000 eurosh, janë realizuar pagesa totale në shumën prej 5 377 058.07 eurosh. Po ashtu, sipas aktakuzës, janë nënshkruar dhe certifikuar raporte të punimeve me sasi shumëfish më të larta se ato të parapara në dosjen e tenderit, pa aneks-kontratë, pa procedurë të re prokurimi dhe pa verifikim të rregullt nga komisioni i pranimit të punëve”, ka njoftuar Prokuroria Speciale .
Sipas aktakuzës, pagesat e realizuara e kanë tejkaluar për rreth 4.87 milionë euro vlerën fillestare të parashikuar për këtë aktivitet të prokurimit.
Prokuroria i ka propozuar gjykatës që ndaj të pandehurve të shqiptohet edhe dënimi plotësues, përkatësisht ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.



