UP-ja shpall konkurs plotësues për vendet e lira në studimet e doktoratës për vitin akademik 2026/’27
Universiteti i Prishtinës ka shpallur konkurs për pozitat e lira në studimet e doktoratës, të cilat nuk u plotësuan me konkursin e këtyre studimeve për vitin akademik 2026/’27, të shpallur në muajin maj.
Me këtë konkurs plotësues, UP-ja po kërkon edhe 28 studentë të doktoratës në tetë programe studimi të katër fakulteteve.
Kandidatët që konkurrojnë për pozitat e lira të studimeve të doktoratës për vitin akademik 2026/’27 në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin e Mjekësisë dhe Fakultetin e Filologjisë, duhet ta kenë notën mesatare jo më të ulët se 8 në dy nivelet e mëparshme të studimit, bachelor e master.
Ata gjithashtu duhet të përgatisin një letër motivuese në të cilën do të arsyetohet interesimi për studime në fushën përkatëse, një koncept ideor të hulumtimit, dëshmitë për njohjen e gjuhës angleze dhe një letër zotimi nga ndonjë profesor që është i gatshëm ta mentorojë temën e tyre.
Të interesuarve për këto u pozita u kërkohet edhe certifikata ose ekstrakti i lindjes, jo më i vjetër se gjashtë muaj, diplomat dhe certifikatat e notave të studimeve bachelor e master dhe dëshmitë lidhur me publikimet kërkimore-shkencore, nëse kanë të tilla.
Konkursi është i hapur nga 13 gushti deri më 1 shtator 2026, në oën 16:00. Aplikimi bëhet në platformën elektronike SEMS të Universitetit të Prishtinës.
Të gjitha detajet për konkursin plotësues të studimeve të doktoratës për vitin akademik 2026/’27 mund t’i gjeni në këtë vegëz.



