Sot përfundon afati për aplikim për tekstet dhe materialet shkollore
Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që ende nuk kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore, ta bëjnë këtë deri sot, kur edhe përfundon afati.
Afati fillimisht ishte paraparë të mbyllej më 9 gusht, por është shtyrë pas interesimit dhe kërkesave të prindërve që nuk kishin arritur të aplikonin me kohë.
Drejtorja e Departamentit për Arsim Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Anita Kadriu, ka bërë të ditur se deri tani kanë aplikuar rreth 179 mijë prindër përmes platformës eKosova.
“Deri sot, për subvencionimin e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore kanë aplikuar gjithsej 179 mijë prindër në platformën eKosova, ndërsa afati përfundimtar për mbylljen e aplikimeve është dita e nesërme”, ka deklaruar Kadriu.
Ajo ka theksuar se zgjatja e afatit është bërë për t’u dhënë mundësi edhe prindërve të tjerë që të përfundojnë aplikimin.
Ministria u ka bërë thirrje të gjithë atyre që ende nuk kanë aplikuar që ta shfrytëzojnë afatin e mbetur.



