Ramadani akuzon pushtetin për shmangie të përgjegjësive: Po e çojnë Kosovën drejt vakumit institucional
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që t’i japë fund vakumit institucional dhe të mundësojë funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.
Ramadani, në një konferencë për media nga foltorja e Kuvendit, ka thënë se është “totalisht e paimagjinueshme” që vakumi institucional të mos konsiderohet si çështje e sigurisë kombëtare.
“Ajo që e besoj dhe që e kemi shqetësim të gjithë është fakti se Kosova dhe Kuvendi duhet të jenë funksionalë. Për shembull, edhe kërcënimin me rrjedhjen e Ibër-Lepencit, sepse nuk ka kush e trajton. Edhe për çmimet e larta”, ka thënë Ramadani.
Ai ka theksuar se askush nuk po e konteston fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet e qershorit, por, sipas tij, është vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që po e konteston situatën politike.
“Askush nuk po ia konteston fitoren e qershorit. Bindja jonë është që ajo do të jetë fitorja e fundit. Nuk po i kontestojmë në asnjë gjë, është vetë Kurti që po konteston”, është shprehur ai.
Ramadani ka akuzuar pushtetin se po shmang përgjegjësitë dhe ka paralajmëruar se Aleanca nuk do të lejojë që Kosova të mbetet në vakum institucional.
“Gjithçka që po bëjnë është që po ikin nga përgjegjësitë. Këtë nuk do ta lejojmë. E kemi për obligim që të mos e lejojmë Kosovën të futet në vakum institucional”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se nëse pas kësaj situate fshihen qëllime të tjera, “do ta shohim”, duke e cilësuar vakumin institucional si çështje thelbësore për funksionimin dhe sigurinë e vendit.



