Haradinaj paralajmëron protesta dhe bllokada si përgjigje ndaj Kurtit

14 gusht 2026 | 14:35

Daut Haradinaj nga Aleanca është deklaruar për situatën e fundit politike në vend, bllokadën institucionale dhe mosvazhdimin e seancave plenare të Kuvendit. Haradinaj ka bërë me dije se ka nënshkruar një nismë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ka paralajmëruar se, nëse situata vazhdon, opozita mund t’i drejtohet edhe protestave e bllokadave.

“Na sa e nënshkruam një nismë nga një institut që kishte bërë thirrje për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se, sipas tij, synon që vendi të shkojë sërish në zgjedhje. “Po e kam thënë para tre muajsh, Kurti ka qëllim ripërsëritjen e zgjedhjeve, derisa t’i ndodhë kjo popullit dhe ky me vazhdu avazin e njëjtë”, është shprehur ai.

Haradinaj ka përdorur edhe gjuhë të ashpër ndaj Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk do të thotë se krejt LV janë UDB-ashë, por një fakt është se krejt UDB-ashat janë në LV”, ka deklaruar ai.

Duke kritikuar qasjen e opozitës gjatë viteve të fundit, Haradinaj ka thënë se vetëm aktiviteti në rrjete sociale nuk mjafton për ta larguar Kurtin nga pushteti. “Albin Kurti është frikacak dhe ky s’njeh gjuhë tjetër. Nëse opozita ka menduar që gjashtë vjet që me ‘Facebook’ me largu z. Kurtin prej Qeverie, atëherë e ka pas shumë gabim”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka paralajmëruar se protestat dhe bllokadat mund të jenë hapi i radhës i opozitës.

“Protesta, bllokada, do të jenë përgjigjja ndaj Kurtit”, ka thënë Haradinaj për “Indeksonline”.

Haradinaj ka kritikuar Kurtin edhe për qëndrimet e tij ndaj shqiptarëve jashtë Kosovës dhe ndaj Shqipërisë, duke e akuzuar atë se është “antishqiptar” dhe “kundër Shqipërisë”. Deklaratat e Haradinajt vijnë në një kohë kur Kuvendi vazhdon të përballet me bllokadë politike, ndërsa partitë opozitare kanë kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për procesin e konstituimit të Kuvendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeshefi i TrainKos, Agron Statovci e ka ofenduar me gjuhë…