Muçolli i bashkohet Llapit nga futbolli skandinav

18 gusht 2026 | 14:39

Sulmuesi i krahut, Agon Muçolli, është përforcimi më i ri i Llapit. Skuadra e Superligës së Kosovës e ka prezantuar të martën Muçollin, i cili ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me klubin nga Podujeva.

Muçolli vlerësohet si një përforcim i rëndësishëm për Llapin, duke marrë parasysh përvojën e tij në futbollin skandinav, ku ka luajtur në Danimarkë, Norvegji dhe Suedi. “Me përvojë të madhe nga futbolli skandinav dhe eksperiencë në nivele të larta të futbollit profesionist, Muçolli vjen në Podujevë për të veshur fanellën bardhekaltër dhe për t’i shtuar skuadrës sonë cilësi dhe forcë shtesë në repartin ofensiv”, ka njoftuar Llapi.

27-vjeçari ka qenë pjesë edhe e Kombëtares U21 të Shqipërisë, ndërsa gjatë karrierës ka luajtur për skuadra si Fredericia, Vejle, Odense, Kristiansund dhe Varbergs. Periudhën më të suksesshme e ka pasur te skuadra daneze Fredericia, me të cilën në 102 paraqitje ka shënuar 29 gola dhe ka regjistruar 22 asistime.

Llapi e ka nisur sezonin e ri në elitën e futbollit kosovar me humbje 5:3 në udhëtim ndaj Dritës, ndërsa ndeshjen e radhës do ta zhvillojë këtë javë në shtëpi kundër Gjilanit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka…