Dogana ndalon dylbi për pushkë snajper në pikën kufitare Kullë
Dogana e Kosovës ka ndaluar një dylbi të destinuar për përdorim me pushkë snajper gjatë kontrollit të një automjeti në pikën kufitare Kullë.
Sipas doganës, automjeti me targa të huaja drejtohej nga një shtetas i Kosovës, i cili gjatë intervistimit nuk kishte deklaruar ndonjë mall apo pajisje që duhej të deklarohej.
Megjithatë, pas dyshimeve të krijuara gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë kryer kontroll të detajuar të automjetit, ku kanë gjetur dylbinë për përdorim me pushkë snajper.
“Gjatë kontrollit është gjetur një dylbi e destinuar për përdorim me pushkë snajper, për të cilën nuk janë paraqitur dokumentet apo autorizimet përkatëse”, ka njoftuar dogana.
Malli është ndaluar, ndërsa ndaj personit janë ndërmarrë masat përkatëse dhe është iniciuar procedurë kundërvajtëse, si dhe procedura të tjera administrative në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana ka theksuar se mallrat që hyjnë në territorin doganor të Kosovës i nënshtrohen mbikëqyrjes dhe kontrolleve doganore, përfshirë kufizimet që lidhen me sigurinë publike.
Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në kufi me qëllim parandalimin e hyrjes së mallrave të rrezikshme, të kufizuara apo të palejuara.



