Arsimi nuk mund të jetë laborator i dështimeve të pushtetit

20 gusht 2026 | 15:46

Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili-Ahmeti, ka kritikuar Qeverinë e Albin Kurtit për, siç thotë ajo, mungesën e përgatitjeve për zbatimin e edukimit të detyrueshëm parafillor për fëmijët pesëvjeçarë.

Në një postim në rrjetet sociale, Ismaili-Ahmeti ka rikujtuar se Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i miratuar më 10 korrik 2023, përcakton detyrimin për edukimin parafillor.

“Sot jemi në prag të vitit të ri shkollor 2026–2027 dhe pyetjet janë me bollëk”, ka shkruar ajo, duke ngritur një sërë pikëpyetjesh për gatishmërinë e institucioneve.

Ajo pyet nëse Kosova është realisht e përgatitur për zbatimin e këtij detyrimi ligjor, duke kërkuar përgjigje për kapacitetet e hapësirave, numrin e edukatorëve, kapacitetet nëpër komuna, përgatitjen profesionale të stafit dhe zbatimin e kurrikulës së re.

Sipas saj, më shumë se dy vite pas afatit të përcaktuar me ligj, çështja nuk mund të trajtohet më si premtim politik, por si përgjegjësi institucionale.

“Arsimi nuk menaxhohet me slogane! Arsimi nuk mund të jetë laborator i dështimeve të pushtetit. Fëmijët tanë meritojnë më shumë”, ka përfunduar Ismaili-Ahmeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi mund të përballet me pasoja pas një nate…