Çitaku për Thaçin: Sot në burg, nesër në liri, president
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar me një mesazh në mbështetje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çitaku ka thënë se jeta dhe rrugëtimi politik i Thaçit nuk janë përcaktuar nga privilegji apo rrethanat, por nga vendimet dhe përballjet e tij ndër vite.
“Nuk ka pasur as rastësi, as fat, e as rrethana që e kanë privilegjuar. Jeta dhe historia e tij nuk janë produkt i privilegjit e i rehatisë. Në fakt, krejt e kundërta”, ka shkruar Çitaku.
Sipas saj, Thaçi ka qenë vazhdimisht “kundër erës” dhe ka sfiduar atë që dukej e pamundur, duke kontribuar në përpjekjen për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore.
Çitaku ka shkruar se edhe përballja e tij me Gjykatën Speciale është pjesë e kësaj rruge, duke theksuar se Thaçi e kishte pranuar me vetëdije këtë betejë, duke e ditur se mund të ishte një nga personat e parë të përballur me drejtësinë në Hagë.
Ajo i është referuar edhe intervistës së fundit të Thaçit, duke thënë se prej kohësh ai nuk i takonte më vetëm vetes.
“Ka diçka të jashtëzakonshme te njerëzit që i dedikohen një kauze deri në vetëmohim. Që e vendosin atë para rehatisë, para interesit personal, madje edhe para lirisë së tyre”, ka shkruar Çitaku.
Në fund, ajo ka përmendur edhe rrezikun me të cilin Thaçi ishte përballur gjatë luftës dhe ka shprehur bindjen se ai do të rikthehet në liri.
“Hashim Thaçi ka mundur lehtësisht të vritej në luftë. Rastësisht është gjallë. Sot në burg. Nesër në liri, president”, ka shkruar Çitaku.



