Zyra e BE-së e shqetësuar: Kuvendi mbetet i pakonstituuar edhe pas skadimit të afatit kushtetues më 7 gusht
Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë ka shprehur shqetësim për moskrijimin e institucioneve të reja, duke theksuar se vonesat rrezikojnë përfitimin e Kosovës nga mundësitë e ofruara nga Bashkimi Evropian, përfshirë ato në kuadër të Planit të Rritjes.
Zëdhënësi i Zyrës së BE-së, Nikola Gaon, ka theksuar se respektimi i Kushtetutës, jurisprudencës së detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë kërkon që procesi konstituiv të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme.
“Nga perspektiva e BE-së, ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar nga kriza institucionale në përshkallëzim në Kosovë, veçanërisht nga fakti që Kuvendi mbetet i pakonstituuar pas skadimit të afatit kushtetues më 7 gusht. Vonesat në formimin e institucioneve rrezikojnë të pengojnë reformat e rëndësishme dhe mund të ndikojnë në aftësinë e Kosovës për të përfituar plotësisht nga mundësitë e ofruara nga BE-ja, përfshirë ato në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ne përsërisim se vetëm një dialog efikas dhe konstruktiv ndërpartiak dhe një ndjenjë e përbashkët qëllimi do t’i lejojnë Kosovës të ndjekë objektiva të përbashkëta dhe të zbatojë reformat që kërkojnë qytetarët e saj. Respektimi i Kushtetutës, jurisprudencës së detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë kërkon që procesi konstituiv të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme, me të gjithë aktorët që përmbushin përgjegjësitë e tyre përkatëse”, ka thënë Gaon për “RTV21”.



