‘Liria ka Emër’ thërret marshin për liri më 12 shtator, ftohen edhe liderët politikë
Platforma qytetare “Liria ka Emër” do të organizojë më 12 shtator në Prishtinë “Marshin për Liri”, katër ditë para se Dhomat e Specializuara në Hagë të shpallin verdiktin për themeluesit dhe drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një konferencë për medie, përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë prezantuar aktivitetet që do t’i paraprijnë marshit, ndërsa kanë bërë thirrje për pjesëmarrje qytetare dhe politike në këtë organizim.
Hoxha ka thënë se tash e gjashtë vjet kjo platformë, së bashku me qytetarët, ka shfaqur kërkesën për një gjykim të drejtë.
“Dhe për gjashtë vite e kemi parë të gjitha aktakuzat e Prokurorisë, të cilat kanë qenë të paqëndrueshme dhe janë rrëzuar një nga një. Por, 16 shtatori duhet të jetë përfundimi i kësaj sage të errët. Dhe ne do të vazhdojmë të jemi pranë tyre. Jo duke paragjykuar vendimin e drejtësisë dhe jo duke ndërhyrë në procesin gjyqësor, por duke e bërë të dëgjueshëm zërin qytetar për drejtësi, dinjitet, kujtesë dhe respekt ndaj historisë sonë”, ka thënë ajo.
Hoxha ka treguar se nga nesër do të nisin dy aktivitete: numërimi mbrapsht deri më 16 shtator dhe “Netët e Lirisë”.
“Aktiviteti i parë fillon nesër, në orën 10:00 në Prishtinë. Do të vendosim një countdown – numërim mbrapsht, i cili do të numërojë kohën deri më 16 shtator, në orën 10:00, kur pritet seanca e fundit e përmbylljes së procesit në Hagë. I njëjti aktivitet do të jetë i shtrirë në të gjitha komunat e Kosovës. Çdo orë që kalon do të na kujtojë se Kosova po pret. Pret drejtësi. Pret dinjitet. Pret çlirimtarët të kthehen në shtëpinë e vet. Aktiviteti ynë i dytë, ‘Netët e Lirisë’, do të zhvillohet në shtatë zonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. ‘Netët e Lirisë’ do të jenë net të kujtesës, të rrëfimit dhe të bashkimit mes brezave për rrugën e vështirë dhe sakrificat për liri”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq, Ismail Tasholli ka ftuar të gjithë spektrin politik të Republikës së Kosovës t’i bashkohet këtij marshi.
“I ftojmë të gjitha partitë politike shqiptare dhe liderët e katër partive më të mëdha në vend, z. Kurti, z. Hamza, z. Abdixhiku, z. Gjini, që të bëhen pjesë e Marshit për Liri. Kjo ftesë u drejtohet të gjithëve, pa përjashtim. I ftojmë këta të jenë të pranishëm dhe të kenë adresimin e tyre publik në Marshin për Liri. Jo për të bërë fushatë. Jo për të ngritur flamuj partiakë. Por për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen”, ka thënë ai.
Tasholli ka njoftuar se kjo platformë do të zhvillojë edhe një aktivitet në Hagë me diasporën shqiptare më 16 shtator.
“Më 16 shtator, kur vëmendja do të jetë e përqendruar në Hagë, ‘Liria ka Emër’ do të organizojë aktivitet edhe në Hagë, së bashku me diasporën shqiptare. Nga Kosova deri në Hagë, mesazhi ynë do të jetë i njëjtë: KOSOVA PO PRET. Prandaj, nga nesër në sheshin e Prishtinës fillon numërimi mbrapsht. Nga 16 shtatori, Kosova më nuk do të jetë njësoj”, ka theksuar ai.





