Mbi 14 mijë euro gjoba për mjetet e rënda që tejkaluan peshën e lejuar

22 gusht 2026 | 15:36

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se kontrollet ndaj mjeteve të rënda po vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së infrastrukturës rrugore dhe rritjes së sigurisë në komunikacion.

Sipas njoftimit, gjatë periudhës 14 – 21 gusht 2026, ekipet e ministrisë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë kontrolluar peshën e 103 mjeteve të rënda.

Nga kontrollet e realizuara, në 30 raste janë evidentuar tejkalime të peshës së lejuar. Prej tyre, 11 raste kanë qenë nga persona fizikë, ndërsa 19 nga persona juridikë.

Për këto shkelje janë shqiptuar gjoba në vlerë të përgjithshme prej 14 mijë e 910 eurosh.

Ministria ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë pa ndërprerje, duke theksuar se tejkalimi i peshës së lejuar dëmton rrugët, rrezikon pjesëmarrësit në komunikacion dhe krijon kosto shtesë për shtetin.

Po ashtu, u është bërë thirrje pronarëve të mjeteve dhe kompanive transportuese që të respektojnë kufizimet ligjore, me qëllim të ruajtjes së investimeve publike dhe garantimit të sigurisë në rrugë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
U.d. e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sportistët…