Holanda gjobit Uberin me 966 milionë dollarë: Çaktivizoi në mënyrë automatike llogaritë e taksistëve dhe i la me xhepat bosh
Autoriteti Holandez i Mbrojtjes së të Dhënave ka gjobitur Uber me 825 milionë euro (966 milionë dollarë) për çaktivizimin e llogarive të shoferëve përmes sistemeve të automatizuara pa i informuar ata në mënyrë të përshtatshme, sipas një vendimi të 17 gushtit të shqyrtuar nga Reuters.
Gjoba do të ishte e dyta më e madhe e dhënë deri më tani sipas Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Evropës, pas asaj prej 1.2 miliardë eurosh të vendosur ndaj Metës nga Irlanda në vitin 2023.
Uber megjithatë ka thënë se do të apelojë vendimin.
“Ne nuk pajtohemi fuqimisht me këtë vendim dhe gjobën joproporcionale”, tha një zëdhënës, duke shtuar se kompania i merr seriozisht të drejtat e shoferëve dhe politikat e saj përfshijnë si rishikime njerëzore ashtu edhe mundësi që shoferët të kundërshtojnë pezullimet e platformës.
Autoriteti Holandez i Mbrojtjes së të Dhënave e konfirmoi vendimin më vonë të premten.
“Uber ka kryer shkelje të rënda”, duke çaktivizuar llogaritë e shoferëve pa paralajmërim ose përfshirje njerëzore, tha në një deklaratë zëvendëskryetarja e organizatës, Monique Verdier.
“Nga një moment në tjetrin ata nuk kishin më të ardhura… Një kompjuter nuk duhet të marrë vendime vetë që kanë pasoja (kaq) të mëdha.”
Rregullatorët evropianë kanë vendosur miliarda euro gjoba ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë amerikane vitet e fundit, sipas rregullave të privatësisë, konkurrencës dhe tregut dixhital.



