Përkundër të gjithave…

24 gusht 2026 | 13:50

Shkruan: Faton Abdullahu

Nuk pres duartrokitje për këtë tekst. Si të gjithë ne, edhe ju keni pritur më shumë nga PDK-ja këto vite. Kjo është normale. Jo normale ishte të kritikosh pa sens, shumë dhe gjatë, por të qëndrosh edhe më shumë anash. Janë jo pak ata që, duke qëndruar anash e duke kritikuar me anësi, e kanë anashkaluar të vërtetën dhe hallin e partisë. E vërteta është se dikush PDK-së ia ka dashur të keqen, e Kosovës dështimin, prandaj ata janë në Hagë qe gjashtë vite. Por mos harroni: përkundër të gjithave, sot PDK-ja është unike. Përkundër të gjithave, ideja se kthimi i tyre do të jetë epokë e re për Kosovën na ka mbajtur aktivë dhe me shpresë në parti. Bindja se përçarja në PDK do të ishte vdekje morale e politike për ata në Hagë na ka mbajtur vigjilentë dhe na ka bërë tolerantë me njëri-tjetrin. Kemi mundur më mirë, gjithsesi, por nuk është keq, sidomos jo sa na e kanë dëshiruar të tjerët, për çka edhe kanë punuar. Përkundër të gjithave, ata kanë ku të kthehen: të kthehen në PDK, që ishte dhe, me ata, do të bëhet përsëri partia më e madhe në Kosovë. Përkundër të gjithave, po, po, përkundër të gjithave, për këtë jemi meritorë të gjithë që qëndruam kur nuk qe aspak e lehtë e jo rrallë shumë e vështirë
Më lejoni të jem edhe më specifik për disa persona.
Gjithsesi, për këtë është meritor edhe Enver Hoxhaj, një kohë në krye të partisë, i cili shquhet me prirjen për ta hetuar nga të parët atë që do të zhvillohet në politikën rajonale e gjeopolitikën evroatlantike, me punën dhe përvojën intelektuale që nuk ia gjen shoqin, sidomos në këtë drejtim.
Gjithsesi, për këtë është meritor edhe Memli Krasniqi, disa vite në krye të partisë, i cili shquhet me prirjen për të reaguar pa hezitim dhe për t’i bërë të tjerët të konsolidohen për një detyrë a projekt, si dhe me përvojë të gjatë dhe trashëgimi mbresëlënëse.
Gjithsesi, për këtë është meritor Bedri Hamza, tash sa kohë dhe në rrethana turbulente në krye të partisë, korrektësia dhe përvoja e të cilit gjetën vend në kohën e duhur, kurse prirja për të kalkuluar e hetuar faktet, rrethanat dhe zhvillimet e bënë atë jo që të mos vonohet, po shpesh t’i kalojë të tjerët.
Të gjithë janë meritorë dhe janë shumë që meritojnë lavdata në PDK, dhe të gjithë e duan dhe e meritojnë kthimin e tyre. Përkundër të gjithave, sot jemi të gatshëm për një epokë të re që do të lindë bashkë me kthimin e tyre, për t’ia kthyer Kosovës atë që e meriton: zhvillimin që po i mungon, shpresën që ia vodhën, unitetin që ia nëpërkëmbën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Alban Qollopeku shpall të humbur diplomën e Bachelorit “Ukshin Hoti”…