Rizvanolli nuk e mohon riparimin e vagonëve në Serbi: Edhe qeveria Haradinaj i kishte dërguar në Zrenjanin
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar pas raportimeve se vagonët e trenave janë dërguar për riparim në Serbi, përmes një kontrate me vlerë rreth gjysmë milioni euro.
Rizvanolli nuk e ka mohuar riparimin e vagonëve në Serbi, por ka thënë se ata janë dërguar për herë të parë në Zrenjanin në vitin 2017, duke e lidhur këtë vendim me Qeverinë e atëhershme.
“Vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin në Serbi për herë të parë më 2017, sapo janë blerë, në procedurë të nisur në kohë të Qeverisë Mustafa e të përuruar në kohë të qeverisë Haradinaj, nga ministri Pal Lekaj. A ka qenë AAK-ja e brengosur për këtë çështje në vitin 2017, kur ministri i tyre e prente shiritin për vagonët e riparuar në Serbi?”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Me këtë reagim, Rizvanolli ka tentuar ta zhvendosë debatin te vendimi i vitit 2017 dhe përgjegjësia e qeverive të atëhershme për dërgimin e vagonëve në Serbi.



