Bedri Hamza: PDK shënon 27-vjetorin e themelimit, kujton kontributin për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka uruar 27-vjetorin e themelimit të partisë, duke kujtuar rrugëtimin e saj politik dhe kontributin në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Në mesazhin e tij, Hamza theksoi se PDK-ja u themelua në frymën e rezistencës, në një periudhë kur Kosova kishte nevojë për guxim, vizion dhe përkushtim.
Ai kujtoi edhe figurat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, duke theksuar se trashëgimia politike e partisë mbetet përgjegjësi për angazhimin e mëtejmë në të ardhmen e vendit.
Me rastin e këtij përvjetori, Hamza tha se përgjegjësia e PDK-së është të ruajë trashëgiminë politike dhe të vazhdojë angazhimin për një Kosovë me më shumë zhvillim, mundësi dhe perspektivë për qytetarët.
“Jemi krenarë për të kaluarën. Qëndrojmë të bashkuar në të tashmen. Dhe punojmë me përgjegjësi për të ardhmen e brezave që vijnë”, ka shkruar Hamza.
Në fund të mesazhit të tij, kryetari i PDK-së uroi anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e partisë për 27-vjetorin e themelimit.




