PDK dhe Aleanca kërkojnë konstituimin e Kuvendit: Kurti po mban peng institucionet

25 gusht 2026 | 08:34

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë kërkuar sërish kthimin e kushtetutshmërisë dhe vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të institucioneve, raporton Ekonomia Online.

Asamblistja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fjolla Vukshinaj-Reçica, tha se pasojat e bllokimit të Kuvendit prekin drejtpërdrejt qytetarët, familjet dhe komunat.

“Bllokimi i Kuvendit të Kosovës nuk është një debat abstrakt politik. Nuk është vetëm një derë e mbyllur në këtë ndërtesë. Pas çdo dite që Kuvendi mbahet i bllokuar, është një qytetar që pret, një familje që ka një hall, një komunë që ka një projekt dhe një nevojë që mbetet pa zë. Këto janë pasojat reale të institucioneve të bllokuara. Sepse një Kuvend që nuk funksionon nuk mund t’i trajtojë siç duhet nevojat e qytetarëve, nuk mund të zhvillojë debatin për politikat dhe buxhetet që u duhen komunave dhe nuk mund t’i mbajë institucionet përgjegjëse”, deklaroi Vukshinaj-Reçica.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se Kurti dhe ministrat e tij duhet të largohen nga Qeveria në detyrë dhe të kthehen në Kuvend, në mënyrë që t’i hapet rrugë krijimit të institucioneve të reja.

“Jemi këtu për të Përsëritur edhe një herë kërkesën tonë për kthim të kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë. Pra, ne po i themi sot troç, Albin Kurtit dy gjëra. E para që ai dhe ministrat e tij, të cilët janë në këtë objekt, janë uzurpatorë dhe duhet ta lirojnë këtë objekt. Dhe e dyta ata duhet të kthehen në Kuvend e t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve të reja të vendit. Pra, Kosova po stagnon dhe me të drejtë e tha sot edhe asamblistja e komunës së Prishtinës sepse pasojat po i ndjejnë qytetarët e Republikës. Pra, dëmi është shumë i madh dhe ka vetëm një njeri që sot nuk lodhet për stagnimin në të gjitha drejtimet që e ka Republika e Kosovës. Prandaj nga këtu i themi deputetit Kurti që të kthehet në Kuvend, t’i hap rrugë krijimit të institucioneve të reja sepse Kosova është projekt shekullor i shumë brezave dhe nuk mund ta shkatërroj askush, as deputeti Kurti”, tha ai.

Ndërsa deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, e akuzoi Kurtin se po pengon konstituimin e Kuvendit dhe po cenon mandatin e deputetëve të zgjedhur nga qytetarët.

“Porosia është shumë e thjeshtë që shkelësi recidivist i Kushtetutës vazhdon të struket në zyrën e vet. Ai 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës ua ka marrë mandatin që ja ka dhënë populli. Ai një njeri i vetëm nuk lejon që të ushtrojmë detyrën tonë si të zgjedhur të popullit, të votuar nga sovrani në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ai e ka bllokuar konstituimin e Kosovës me të vetmin qëllim me e gjet diku një derë në mënyrë që edhe pozicionin e presidentit me e kap për partinë e vet dhe me e kthy logjikën e partisë që e udhëheq parti shtet. Mandati është i yni, i deputetëve që na ka dhënë populli. Këtë mandat nuk guxon as Albin Kurti as askush tjetër na e merr dhe veprimet që po e pengojnë moskonstituimin e Kuvendit”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik ka njoftuar se moti sot në Kosovë do…