Baraliu: Mosthirrja e seancës mund të jetë për shtyrjen e afateve dhe zgjedhjet e mundshme

25 gusht 2026 | 11:38

Pas zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, ndërsa përplasjet politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar institucionin.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar bashkëpunimin me LV-në për formimin e institucioneve, ndërsa LDK-ja ka kundërshtuar një marrëveshje për qeverinë, por ka lënë të hapur mundësinë për zgjedhjen e presidentit.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se pas certifikimit të rezultateve, seanca konstituive e Kuvendit është dashur të thirret dhe të përfundojë brenda afateve të përcaktuara.

Sipas tij, seanca është dashur të thirret çdo 48 orë deri në përfundimin e procesit, ndërsa zvarritja aktuale përbën shkelje të dispozitave kushtetuese.

“Është dashur që çdo 48 orë me thirr seancë dhe me përfunduar kjo. Shkelje ka dhe kjo nuk është hera e parë, se krejt kjo klasë politike është e papërgjegjshme dhe po bëjnë shkelje”, ka deklaruar Baraliu për “Front Online”.

Baraliu ka përmendur edhe mundësinë që mos-thirrja e seancës të jetë pjesë e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.

“Arsyeja e mos thirrjes së seancës është për gjetjen e një marrëveshje për president, nëse ka qëllim për shtyrje të afateve për të caktuar sa më vonë pastaj zgjedhje, edhe kjo është një mundësi, varet prej qëllimeve që kanë”, ka thënë ai.

Ngërçi politik po vazhdon ndërsa partitë nuk kanë arritur ende një marrëveshje për tejkalimin e situatës dhe funksionalizimin e institucioneve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Andoni Iraola ka kërkuar zyrtarisht nënshkrimin e një mesfushori mbrojtës…