‘Më 16 shtator presim fitoren e dytë të Kosovës’, qytetarët presin lirimin e liderëve të UÇK-së

25 gusht 2026 | 12:00

Teksa afrohet 16 shtatori, vëmendja në Kosovë është përqendruar te vendimi përfundimtar ndaj krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po gjykohen në Hagë.

Në prag të shpalljes së vendimit, qytetarë të intervistuar nga “Ekonomia Online” kanë shprehur shpresën se krerët e UÇK-së do të lirohen dhe do të kthehen në Kosovë, duke e cilësuar procesin gjyqësor ndaj tyre si të padrejtë.

Nuha Bislimi ka thënë se pret lirimin e tyre, duke theksuar se, sipas saj, procesi ka qenë i padrejtë.

“Mendoj që po, edhe dëshiroj të lirohen, të jenë të lirë. Sepse me padrejtësi po rrinë atje. Jo, jo, çfarë të drejte? Nuk ka qenë i drejtë, i padrejtë totalisht. Ne presim të lirohen sa më shpejt”, ka thënë Bislimi.

Të njëjtën shpresë e ka shprehur edhe Azem Doda, i cili ka thënë se dëshiron që krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë.

“Inshallah kanë ymër e kthehen në tokën e vet. Aty veç Zoti e di. Ata nuk kanë shkuar me ia zaptuar tokën askujt, veç me mbrojt pragun e vet. Sigurisht që u është bërë e padrejtë”, ka thënë Doda.

Ndërkaq, Beqir Lale ka thënë se e pret me shpresë vendimin e 16 shtatorit.

“Me gjithë dëshirë, me shpirt e me zemër. Po, kur janë marrë, ka qenë vendim i padrejtë dhe edhe tash është vendim i padrejtë. Por, me të gjitha shpresat, më 16 shtator do të jetë fitorja e dytë e Kosovës. Dashtë Zoti të mos merret”, ka thënë Lale.

Në Prishtinë, platforma qytetare “Liria ka Emër” ka vendosur së fundmi “Orën e Pritjes”, në shenjë mbështetjeje për ish-krerët e UÇK-së dhe në pritje të vendimit.

Deklaratat përmbyllëse në proces janë caktuar të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator, ndërsa vendimi final pritet të shpallet më 16 shtator.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe veprojnë në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovës, me seli në Holandë dhe me personel ndërkombëtar.

Procesi ndaj krerëve të UÇK-së ka shkaktuar reagime dhe protesta në Kosovë dhe jashtë saj, ndërsa mbështetësit e tyre kanë kërkuar që procesi të përfundojë me drejtësi dhe që ish-krerët të kthehen në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Enver Hasani Sikur në Kodin Penal të ekzistonte një…