Osmani për vdekjen e Eqrem Kryeziut: Intelektuali që i dha sharm demokracisë
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vdekjes së ish-kryetarit të Prizrenit, Eqrem Kryeziut, duke vlerësuar lart kontributin e tij në jetën politike, akademike dhe institucionale të Kosovës.
Osmani e ka cilësuar Kryeziun si një intelektual që “i dha sharm demokracisë”, duke theksuar se ai për dekada me radhë dha kontribut të rëndësishëm në jetën publike të vendit.
“Profesor, intelektual e veprimtar i palodhur, Eqrem Kryeziu i shërbeu vendit me dije, guxim dhe përkushtim”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.
Ajo ka përmendur edhe angazhimet e tij të shumta, përfshirë bashkëpunimin me presidentin historik Ibrahim Rugova, pozitën e nënkryetarit të LDK-së, kryetarin e Prizrenit, nënkryetarin e Kuvendit, deputetin dhe profesorin.
Sipas Osmanit, Kryeziu ka lënë gjurmë të pashlyeshme në procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe në zhvillimin e Prizrenit, qytetit me të cilin ishte veçanërisht i lidhur.
“I përhershëm qoftë kujtimi për Profesor Eqremin!”, ka përfunduar Osmani, duke shprehur ngushëllime për familjen Kryeziu, miqtë, bashkëpunëtorët, qytetarët e Prizrenit dhe mbarë Kosovën.



