Haxhiu i dërgon telegram-ngushëllimi familjes Kryeziu: Kosova humbi një intelektual dhe veprimtar të shquar
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka dërguar telegram-ngushëllimi familjes Kryeziu pas vdekjes së Eqrem Kryeziut, ish-kryetarit të Prizrenit.
Në telegramin e saj, Haxhiu ka vlerësuar lart kontributin e Kryeziut në jetën akademike, kulturore dhe politike të Kosovës, duke e cilësuar atë si një intelektual dhe veprimtar të shquar.
“Me vdekjen e tij, Kosova humbi një intelektual dhe veprimtar të shquar të një brezi që angazhimin për vendin e ndërtoi mbi dije dhe përgjegjësi”, është thënë në telegramin e Haxhiut.
Ajo ka theksuar se Kryeziu ishte para së gjithash profesor dhe njeri i letrave, ndërsa për më shumë se pesë dekada jeta e tij ishte e lidhur me librin, arsimin dhe dijen.
Sipas Haxhiut, edhe gjatë angazhimit politik, Kryeziu ka ruajtur individualitetin dhe mënyrën e veçantë të të shprehurit, përmes së cilës ishte i njohur për publikun.
“Edhe në politikë mbeti njeri me mendim të vetin, i drejtpërdrejtë në fjalë, me ironi të hollë dhe me një mënyrë të veçantë të të shprehurit, për të cilën publiku e njohu dhe e mbajti mend”, është thënë në telegramin e Haxhiut.
Ajo ka vlerësuar gjithashtu kontributin e tij në Prizren, ku për shumë vite ishte pjesë e jetës politike të qytetit dhe e drejtoi atë si kryetar në vitet e para të qeverisjes lokale pas luftës.
Kontributi i Kryeziut ka vazhduar edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në jetën politike të vendit, ndërsa Haxhiu ka theksuar se figura e tij nuk mund të përmblidhet vetëm në funksionet që ka mbajtur.
“Do të kujtohet si profesor, intelektual dhe veprimtar i shquar me individualitet të spikatur, që la gjurmë në jetën politike e kulturore të Kosovës”, është thënë në telegram-ngushëllimin e Haxhiut.



