Zeka thotë se ia ktheu 1 mijë eurot Shehollit para arrestimit, aktakuza tregon se paratë iu kthyen pas arrestimit
Gazetari Milaim Zeka ka deklaruar në emisionin FIVE të TV Dukagjinit se shumën prej 1 mijë eurosh, të cilën ia kishte dhënë Fatmir Sheholli, ia kishte kthyer këtij të fundit para arrestimit të tij.
Megjithatë, nga aktakuza e Prokurorisë Speciale që e ka siguruar Dukagjini, del një version tjetër lidhur me kohën kur është kthyer kjo shumë.
Zeka ka thënë në FIVE se 1 mijë eurot i kishte marrë për përkthimin e materialeve në gjuhën serbe, pasi, sipas tij, nuk e njihte këtë gjuhë. Ai ka deklaruar se përkthyesi më pas nuk kishte pranuar pagesë dhe për këtë arsye paratë ia kishte kthyer Shehollit.
“Tash, po të them për herë të parë, që ato 1 mijë euro kanë qenë për përkthime, që ky vet e deklaron. Por që unë që ditën e parë kur më ka marrë në pyetje policia, që i kam marrë 1 mijë euro, të cilat ia kam kthyer Shehollit (para arrestimit)”, ka deklaruar Zeka.
Ai ka shtuar se paratë ia kishte dhënë një personi të afërt të Shehollit.
“Pasi përkthyesi nuk ka pranuar pagesë. Ia kam dhënë paratë një personi të afërt të Fatmirit”, ka thënë Zeka.
Por aktakuza e Prokurorisë Speciale e paraqet një kronologji tjetër.
Në dokumentin e Prokurorisë, në një raport informues që lidhet me një vizitë të Shehollit në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan më 10 nëntor 2025, përmendet një komunikim i tij me djalin e tij.
Sipas këtij komunikimi, Sheholli e kritikon djalin e tij Imer për pranimin e shumës prej 1 mijë eurosh nga Milaim Zeka, duke i thënë se ato mjete nuk ishin të destinuara për familjen, por për pagesën e gazetarëve me qëllim të publikimit të materialeve.
Kjo pjesë e aktakuzës është e rëndësishme për kronologjinë, pasi raporti lidhet me 10 nëntorin 2025, ndërsa Prokuroria thotë se Sheholli ishte në paraburgim në atë periudhë.
Pra, ndërsa Zeka deklaron në FIVE se paratë ia kishte kthyer Shehollit para arrestimit, dokumenti i Prokurorisë që e ka siguruar Dukagjini tregon se pas arrestimit dhe gjatë kohës së paraburgimit të Shehollit, ai ende fliste me djalin e tij për 1 mijë eurot e marra nga Zeka.



