Aleanca dorëzon kallëzim penal ndaj qeverisë në detyrë, Tahiri: Nuk guxon ta shkelë ligjin

26 gusht 2026 | 11:13

Aleanca ka dorëzuar sot kallëzim penal në Prokurorinë Speciale lidhur me, siç thonë ata, vendimet antikushtetuese të Qeverisë në detyrë.

Deputeti i kësaj partie, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se Aleanca ka deponuar kallëzim penal ndaj qeverisë në detyrë, respektivisht kryeministrit në detyrë, lidhur me vendimet e marra më 12 gusht.

“Sot, Aleanca ka deponuar në Prokurorinë Speciale, ashtu siç edhe e ka paralajmëruar në tri konferenca rresht me radhë, një kallëzim penal për qeverinë në detyrë, respektivisht kryeministrin në detyrë, për shkak se më 12 gusht të këtij viti ata kanë marrë disa vendime të cilat, në vlerësimin tonë dhe të juristëve që e përfaqësojnë këtë lëndë, janë vendime që bien ndesh me ligjin dhe me të gjitha rregulloret që i ka një qeveri”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka thënë se qeveria në detyrë nuk është qeveri e votuar dhe se, sipas tij, ligji e ndalon marrjen e vendimeve që lidhen me 17 vendime të miratuara në mbledhjen e Qeverisë.

“Qeveria në detyrë quhet qeveri në detyrë për shkak se nuk është qeveri e votuar. Ajo e ka të ndaluar me ligjin për qeveri të marrë vendime që janë të ndërlidhura me 17 vendime të cilat janë marrë në mbledhjen e qeverisë për emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë në agjenci ekzekutive, në agjencione qeveritare, mirëpo në një rast edhe për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm”, është shprehur ai.

Tahiri ka theksuar se qeveria në detyrë, sipas tij, nuk guxon të shkelë Ligjin për Qeverinë dhe se kompetencat e saj janë të kufizuara, raporton “EkonomiaOnline”.

“Qeveria në detyrë nuk guxon në asnjë moment të shkelë ligjin që vetë e ka miratuar, ligjin për qeveri, ligj në të cilin kemi punuar edhe ne me ta. Për shkak se është ekskluzivisht e thënë qartë se kjo qeveri i ka kompetencat dhe detyrimet e kufizuara dhe, rrjedhimisht, me marrjen e këtyre vendimeve e kanë shkelur detyrën zyrtare dhe pozitën e tyre si ushtrues të detyrës”, ka theksuar Tahiri.

Ai ka shtuar se në kallëzimin penal është theksuar edhe çështja e ushtrimit të funksioneve ekzekutive nga deputetët që janë betuar në Kuvend.

“Po ashtu, ajo që theksojmë si Aleancë në këtë kallëzim penal është se një deputet i cili betohet në Kuvend si deputet, ai apo ajo nuk mund të ushtrojë detyrë tjetër ekzekutive, për shkak se kjo është e ndaluar me ligj. Nuk mundesh me shkuar paradite në seancë me u betuar si deputet, me votuar si deputet dhe pastaj pasdite me vazhduar në qeveri dhe me ushtruar detyra ekzekutive si ministër në detyrë, respektivisht kryeministër. Kjo është shkelje flagrante e ligjit. Kjo po ashtu është e sanksionuar edhe me një vendim tjetër të Gjykatës Supreme, i cili vendim është po ashtu i elaboruar në kallëzimin tonë penal”.

“Kapja e shtetit duhet të ndalet. Abuzimi me funksionin publik duhet të ndalet. Adresa e vetme e jona, e Aleancës, e qytetarëve të Kosovës janë institucionet, respektivisht organet e ligjit, Prokuroria dhe Gjykata. Presim që këto institucione të përgjigjen ndaj kërkesës sonë”, ka përfunduar Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka…