Rritet për 4.4 për qind kostoja e ndërtimit në Kosovë
Kostoja e ndërtimit në Kosovë është rritur edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, me një rritje prej 4,4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Kostos së Ndërtimit është rritur për 0.9 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e parë.
Në baza tremujore, rritja më e madhe është shënuar te energjia, me 2,3 për qind, ndërsa pagat janë rritur për 2 për qind. Materialet dhe transporti janë shtrenjtuar për nga 1.5 për qind, ndërsa kostot e tjera për 0.9 për qind.
Në anën tjetër, kostoja e makinerive ka shënuar rënie prej 0.6 për qind.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, rritja e kostos së ndërtimit është edhe më e theksuar, duke arritur në 4.4 për qind.
Në këtë periudhë, transporti ka shënuar rritjen më të madhe vjetore, prej 11.2 për qind. Pas tij renditen pagat, me rritje prej 8.6 për qind, ndërsa kostot e tjera janë rritur për 5.6 për qind.
Ndërkohë, materialet janë shtrenjtuar për 4.4 për qind dhe energjia për 2.3 për qind. Vetëm makineritë kanë shënuar rënie vjetore, prej 0.9 për qind.
Të dhënat tregojnë se rritja e kostove të transportit, pagave dhe materialeve vazhdon të ushtrojë presion mbi sektorin e ndërtimit në Kosovë. /Kosovapress



