DORA E (PA)DUKSHME

27 gusht 2026 | 10:31

Shkruan: Isuf Sherifi

Nëse arrestimet e Shehollit, të Fehim Salit dhe të të tjerëve më herët, të dyshuar për spiunazh në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës, nxjerrin në dritë fakte tronditëse mbi përpjekjet për ta minuar shtetin e Kosovës përmes instrumentalizimit të fesë, atëherë kjo lë vend për të dyshuar dhe për të kuptuar se e njëjta politikë, apo njerëz të ngjashëm të shitur te Serbia, mund të kenë vepruar edhe më herët dhe të kenë prekur themelet e lirisë e të çlirimit të Kosovës që në agimin e tyre.
Sepse lufta e Serbisë kundër Kosovës nuk ka qenë vetëm luftë me tanke, ushtri, polici dhe masakra. Ajo ka qenë edhe luftë e fshehtë: infiltrime, propagandë, manipulim, përçarje dhe përdorim i njerëzve brenda shoqërisë shqiptare për ta goditur shqiptarin nga brenda.

Pasojat e veprimeve diversante të Serbisë dhe të dorës së zezë, të zgjatur në Kosovë edhe përmes agjenturave të mundshme armiqësore, shoqëria shqiptare po i vuan rëndë edhe sot.

Mbase një ditë do të dalë në dritë e vërteta e plotë e asaj kohe, e cila ka lënë një hendek të madh brenda kombit. Sepse një shtet që gjatë viteve 1998 dhe 1999 kreu qindra masakra ndaj shqiptarëve në Kosovë, pas një historie të gjatë dhune e shtypjeje, nuk mund të përjashtohet apriori nga përdorimi i skenarëve të tjerë kriminalë për të mbjellë përçarje dhe për t’ia faturuar shqiptarit krimin.

Nëse Serbia ishte e gatshme të vriste mijëra shqiptarë, të dëbonte qindra mijëra të tjerë dhe të digjte e të shkatërronte fshatra e qytete të tëra, atëherë është në logjikën e saj kriminale që edhe lufta e saj e fshehtë të jetë një nga kapitujt vazhdues të saj. Këto veprime duhet të hetohen deri në fund. Jo për të ndërtuar teori pa prova, por për të mos përjashtuar asnjë të vërtetë vetëm pse ajo është e dhimbshme.
Sepse ndoshta shumë prej plagëve që vazhdojnë të na ndajnë edhe sot nuk janë krijuar vetëm nga plumbat e pasluftës, por edhe nga rrëfimet që na janë imponuar për atë se kush vrau, kush tradhtoi dhe kush ishte përgjegjës. Dhe pikërisht këtu qëndron e vërteta e munguar.
Mbase nuk është pyetja vetëm se kush na vrau, por edhe kush deshi që ne të besonim se shqiptari ishte armiku kryesor i shqiptarit.

E nëse një gënjeshtër përsëritet për dekada, ajo mund të bëhet më e fuqishme se vetë e vërteta. Mund të bëhet si opiumi që merret për ilaç: të qetëson dhimbjen përkohësisht, por nuk e shëron plagën, nuk të shpëton.

Prandaj, nëse duam ta kuptojmë tërësisht realitetin në të cilin kemi rrëshqitur si popull, nuk duhet të kemi kurrfarë dileme se dora e Serbisë ka qenë gjithmonë e pranishme edhe aty ku, për vite të tëra, kemi parë vetëm dorën e shqiptarit.

27.08.2026

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e 371-të me…