Mbi 4 mijë maturantë do t’i nënshtrohen provimit të maturës të shtunën
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka njoftuar se Provimi i Maturës do të mbahet të shtunën, më 29 gusht 2026, nga ora 10:00, në gjithsej 55 qendra të testimit në Kosovë.
Sipas MASh-it, përmes platformës “eKosova” kanë aplikuar gjithsej 5 033 kandidatë, ndërsa pas shqyrtimit dhe verifikimit të aplikimeve janë aprovuar 4 967 kandidatë.
Ministria ka bërë me dije se komisionarët dhe administruesit duhet të jenë në qendrat e testimit një orë para fillimit të provimit, në mënyrë që të sigurohet organizimi dhe mbarëvajtja e procesit.
Ndërkaq, maturantët duhet të paraqiten në qendrat e testimit të përcaktuara në listat përfundimtare dhe të kenë me vete dokumentin përkatës të identifikimit.
“Për garantimin e një procesi të rregullt, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë kandidatët, kërkohet respektimi i plotë i udhëzimeve dhe rregullave të përcaktuara për administrimin e Provimit të Maturës”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.



