‘Reuters’-i zbulon dokumentin: ShBA-ja përgatit 4 skenarë për trupat në Evropë, mund të tërheqë deri në 80 mijë ushtarë
Një rishikim i Pentagonit për dislokimin e trupave amerikane në Evropë do të krijojë të paktën katër grupe opsionesh për sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, deri më 6 nëntor, shumë përpara afatit të dhjetorit për përfundimin e rishikimit, sipas një dokumenti të siguruar nga “Reuters”-i.
Aleatët e NATO-s shqetësohen se rishikimi gjashtëmujor, i njoftuar në qershor, mund të çojë në shkurtime në shkallë të gjerë të rreth 80 mijë trupave amerikane në Evropë dhe të ndëshkojë vendet që presidenti Donald Trump beson se nuk e kanë mbështetur luftën ShBA-Izrael kundër Iranit.
“Termat e Referencës” të Pentagonit, të cilët nuk ishin bërë më parë publikë në detaje, përcaktojnë hapat që do të ndërmerren gjatë rishikimit të brendshëm, si dhe disa nga kriteret që do të përdoren për vlerësimin e vendimeve lidhur me bazat amerikane në të gjithë Evropën.
Një nga zbulimet e rëndësishme në dokument është plani që gjenerali më i lartë amerikan në Evropë të marrë pjesë në një “brifing” vendimmarrës me shefin e politikave të Pentagonit, Elbridge Colby, deri më 18 shtator.
Ky “brifing” do të jetë kyç për përcaktimin e opsioneve që do t’i paraqiten Hegseth-it, sipas dokumentit.
Skepticizmi i NATO-s për procesin e rishikimit të ShBA-së
Colby pritet të bisedojë me ambasadorët e NATO-s për rishikimin të enjten, në selinë e aleancës në Bruksel.
I pyetur për “Termat e Referencës”, një zyrtar i lartë i Pentagonit ka thënë se fakti që do të krijohet një spektër i detajuar opsionesh nënvizon seriozitetin e procesit.
“Ne duam të jemi në gjendje të diskutojmë avantazhet dhe disavantazhet e një sërë nivelesh ose dislokimesh të ndryshme të forcave”, i ka thënë zyrtari “Reuters”-it.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse këto detaje do t’i bindin zyrtarët evropianë, të cilët janë skeptikë ndaj procesit të rishikimit dhe privatisht shprehen të shqetësuar se vendimi i Uashingtonit mund të jetë pothuajse i marrë tashmë.
Administrata Trump ka sinjalizuar prej kohësh se synon të zvogëlojë burimet ushtarake që ShBA-ja i kushton Evropës, me pritshmërinë që aleatët e NATO-s të mbajnë një pjesë më të madhe të barrës sesa kanë mbajtur historikisht.
Trump gjithashtu është shprehur i zemëruar, duke thënë se aleatët evropianë të NATO-s janë mbështetur prej kohësh në garancitë e sigurisë së ShBA-së, ndërsa kanë ofruar mbështetje të pamjaftueshme për luftën kundër Iranit. Akuzat përfshijnë pretendimin se disa aleatë nuk kanë ofruar qasje për bazim dhe fluturime mbi territorin e tyre për avionët luftarakë amerikanë, ose e kanë bërë këtë shumë ngadalë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka shprehur njëfarë mirëkuptimi për zhgënjimin e Trumpit, por ka thënë se shumica dërrmuese e evropianëve kanë qenë ndihmuese.
Zyrtari i Pentagonit ka thënë se administrata Trump e ka bërë të qartë se “po kalojmë drejt ofrimit të mbështetjes kritike, por më të kufizuar, me aleatët në krye”.
“Presidenti Trump gjithashtu ka qenë me të drejtë dhe qartësisht i frustruar nga sjellja e aleatëve të caktuar gjatë muajve të fundit. Pra, qartazi ekziston të paktën një kërkesë që të kemi opsione që do të na tregonin se po i ulim nivelet e forcave tona në Evropë”, ka thënë zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.
Megjithatë, zyrtari ka theksuar se rishikimi synon të “ofrojë një spektër opsionesh, nga ku jemi tani deri te çfarëdo përfundimi që do të nxjerrë” rishikimi.
Hegseth akuzon disa aleatë të NATO-s për “përfitim pa kontribut”
Duke njoftuar rishikimin në qershor, Hegseth ka kritikuar disa aleatë të NATO-s për “përfitim pa kontribut” dhe ka thënë se rishikimi do të sigurojë që “qasja, bazimi dhe fluturimi mbi territor” i ushtrisë amerikane të jenë të përcaktuara qartë.
“Termat e Referencës” shkojnë edhe më tej.
Përtej kërkesës për të drejta të besueshme të qasjes, bazimit dhe fluturimit mbi territor, të njohura si ABO, në vendet aleate të NATO-s, ato shqyrtojnë hapësirën, hapësirën kibernetike, si dhe “arkitekturat dhe infrastrukturën e inteligjencës që mundësojnë projeksionin global të fuqisë amerikane”, thuhet në dokument.
Pentagoni e ka zgjeruar përkufizimin e ABO-së për të siguruar që ShBA-ja të marrë parasysh të gjitha llojet e mbështetjes që ofrojnë aleatët e NATO-s, ka thënë zyrtari i lartë.
“Termat e Referencës” trajtojnë gjithashtu mënyra të tjera përmes të cilave do të vlerësohen aleatët dhe duket se janë në përputhje me deklaratat e mëparshme të zyrtarëve të lartë amerikanë.
Dokumenti thotë se Pentagoni do të kërkojë të përcaktojë nëse aleatët kanë një rrugë të besueshme për të përmbushur zotimet e tyre për shpenzimet e NATO-s dhe për të mbushur boshllëqet në forcat e krizës së NATO-s, të njohura si Modeli i Forcave të NATO-s, pas njoftimit për shkurtimet amerikane në fillim të këtij viti.
“Reuters”-i ka raportuar për një pyetësor amerikan të dërguar aleatëve për të ndihmuar në rishikim. Ai mbulon çështje që variojnë nga shpenzimet për mbrojtjen te strategjia, prokurimi dhe mbështetja për prioritetet e politikës së jashtme të ShBA-së.
“Çfarë kufizimesh, nëse ka, ka vendosur shteti për qasjen, bazimin dhe fluturimin mbi territor (ABO) të ShBA-së? Nëse po, pse? A janë të gatshëm t’i reduktojnë ose eliminojnë këto kufizime?”, ka pyetur ShBA-ja në pyetësorin e saj.
“A ka kundërshtuar publikisht shteti rregullore ose masa të tjera të dizajnuara për të penguar ose reduktuar bashkëpunimin transatlantik në industrinë e mbrojtjes? Nëse po, si? Nëse jo, a do të ishin të gatshëm ta bënin këtë?”, thuhet në një tjetër pyetje.
Përgjigjet duhet të dorëzohen deri të premten.
“Po punojmë shumë, shumë fort dhe ky është një afat kohor relativisht i ngjeshur”, ka thënë zyrtari. “Shumë nga analizat e mëparshme do të shërbejnë si bazë për këtë, gjë që duhet të na lejojë të ecim më shpejt nga ana jonë”.



