Kurti pas takimit lamtumirës me ambasadorin francez: Partneriteti me Francën është zhvilluar në vazhdimësi
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se partneriteti i Kosovës me Francën është zhvilluar në vazhdimësi, ndërsa që këtë vit është konkretizuar me disa marrëveshje.
Ai ka përmendur marrëveshjet në drejtësi, arsim e frankofoni, si dhe partneritetin financiar dhe institucional për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Këto komente, Kurti i ka bërë pas takimit lamtumirës që ka zhvilluar me ambasadorin e Republikës së Francës, Olivier Guerot, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
“Partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Francës është zhvilluar në vazhdimësi, ndërsa këtë vit bashkëpunimi ynë është konkretizuar edhe më tej. Takimi dhe dreka e punës me Presidentin Emmanuel Macron në Pallatin Elize në mars, e më pas vizita e ministrit të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, në Kosovë në korrik, u konkretizuan me pesë marrëveshje dhe instrumente që avancojnë bashkëpunimin në drejtësi, arsim e frankofoni, si dhe partneritetin financiar dhe institucional për organizimin e Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’. Këto rezultate përbëjnë një bazë të rëndësishme për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Franca është aleate dhe partnere e rëndësishme e Kosovës dhe mbështetja e saj për rrugën tonë evropiane dhe integrimin euroatlantik mbetet me rëndësi të veçantë”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale.



