Ekzekutohen subvencionet për tekstet shkollore
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar Katalogun e Teksteve Shkollore për vitin shkollor 2026/2027, ndërsa janë ekzekutuar edhe mjetet për subvencionimin e teksteve shkollore në llogaritë e prindërve përfitues. “Vlera e subvencionimit për nxënësit në gjuhën shqipe është:
- Klasat 1 dhe 2 – 60 euro
- Klasa 3 – 65 euro
- Klasa 4 – 70 euro
- Klasa 5 – 80 euro
- Klasat 6 dhe 7 – 90 euro
- Klasat 8 dhe 9 – 100 euro”, thuhet ne njoftimin e MASH.
Sipas ministrisë, pas negociatave me shtëpitë botuese janë përcaktuar çmimet finale të teksteve shkollore, të cilat janë përfshirë në katalogun zyrtar dhe janë të detyrueshme për të gjitha pikat e shitjes.
MASh u ka bërë thirrje prindërve që gjatë blerjes të verifikojnë nëse çmimet përputhen me ato të përcaktuara në katalogun zyrtar.
“Ju njoftojmë gjithashtu se nga sot, e deri në nisjen e vitit të ri shkollor, Inspektorati i Arsimit nisë monitorimin intensiv dhe të vazhdueshëm të pikave të shitjes, me qëllim verifikimin e respektimit të çmimeve të përcaktuara në katalog. Monitorimi do të kryhet në të gjitha njësitë e shitjes në mënyrë të vazhdueshme. Kurse pas fillimit të vitit shkollor, Inspektorati i Arsimit do të nisë verifikimet në shkolla, me qëllim konstatimin nëse nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore”, vazhdon njoftimi.



