Betohen anëtarët e rinj të KQZ-së
Anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) janë betuar para Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ceremonia e betimit shënon fillimin e mandatit të anëtarëve të rinj të KQZ-së.
“Sot, në ceremoninë zyrtare, dhanë betimin nëntë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të propozuar nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Secilit prej tyre i urova suksese në këtë përgjegjësi të rëndësishme për garantimin e proceseve demokratike në vend. Kosova ka dëshmuar se ka një sistem zgjedhor të konsoliduar dhe ky standard duhet të ruhet e të forcohet vazhdimisht”, ka shkruar në “Facebook” u.d presidentja Albulena Haxhiu.
Dy prej anëtarëve të rinj, Hysen Durmishi dhe Violeta Salihu, janë përfaqësues të LVV-së.
Ndërkaq, tri partitë tjera më të mëdha opozitare përfaqësohen me nga një anëtar në KQZ.
Nga PDK-ja, anëtar i KQZ-së do të jetë Rashit Qalaj, nga LDK-ja Ilir Fetahu, ndërsa nga Aleanca Muharrem Nitaj.





