AKB: Pesë shtete zotërojnë rreth 62% të naftës së provuar botërore, mësimi për Kosovën

31 gusht 2026 | 12:54

Aleancës Kosovare e Bizneseve (AKB) ka realizuar studimin e parë në Kosovë për burimet e naftës në nivel global, kur nafta vazhdon të mbetet një nga pasuritë më të rëndësishme strategjike të ekonomisë botërore.

Pavarësisht zhvillimit të energjisë së gjelbër dhe tranzicionit energjetik, nafta dhe derivatet e saj vazhdojnë të kenë rol vendimtar në transport, industri, aviacion, petrokimi dhe në ekonominë globale.

Ky studim i Aleancës Kosovare të Bizneseve vjen në një kohë kur krizat energjetike, konfliktet gjeopolitike dhe luhatjet në tregun e naftës kanë prekur tregjet globale, Kosovën dhe rajonin më shumë se kurrë më parë.

Rritja e pasigurisë për furnizim dhe luhatjet e çmimeve të naftës dhe derivateve kanë dëshmuar se siguria energjetike nuk është më vetëm çështje ekonomike, por edhe çështje strategjike dhe e sigurisë kombëtare.

Pikërisht për këtë arsye, AKB-ja ka realizuar këtë studim për të analizuar pasurinë globale të naftës, fuqinë e shteteve që kontrollojnë rezervat dhe rëndësinë që kanë rafinimi, teknologjia dhe diversifikimi i burimeve të furnizimit për ekonominë moderne.

Studimi i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) tregon se pasuria botërore e naftës është jashtëzakonisht e përqendruar: vetëm pesë shtete zotërojnë rreth 62% të rezervave të provuara botërore të naftës.

Megjithatë, ekziston një dallim shumë i rëndësishëm ekonomik: Të zotërosh naftën nuk do të thotë domosdoshmërisht të fitosh më shumë prej saj! “Vlera më e madhe ekonomike krijohet përgjatë zinxhirit të përpunimit të naftës bruto në benzinë, dizel, karburant për aviacion, gaz, lubrifikantë, asfalt, plastikë dhe qindra produkte të tjera të industrisë petrokimike”, thuhet në këtë studim.

Pesë fuqitë më të mëdha të rezervave të naftës në botë

Renditja e shteteve dhe rezervat e provuara. Pjesa e rezervave botërore:
1.Venezuela| 303.0 miliardë fuçi| 17.17%
2.Arabia Saudite| 267.2 miliardë fuçi| 15.14%
3.Irani| 208.6 miliardë fuçi| 11.82%
4.Kanadaja| 163.1 miliardë fuçi| 9.24%
5.Iraku| 145.0 miliardë fuçi| 8.22%
Gjithsej: rreth 1.087 trilionë fuçi naftë.
Këto pesë shtete zotërojnë së bashku rreth 61.6% të rezervave të provuara botërore të naftës.
Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e pasurisë strategjike të naftës në botë është e përqendruar vetëm në pesë shtete.

Venezuela, fuqia më e madhe e rezervave në botë

Venezuela renditet në vendin e parë në botë për rezervat e provuara të naftës. Me rreth 303 miliardë fuçi, ajo zotëron mbi 17% të rezervave botërore. Megjithatë, Venezuela është shembulli më i mirë se rezervat e mëdha nuk garantojnë automatikisht prodhim të madh dhe pasuri ekonomike. Problemet politike, mungesa e investimeve dhe vështirësitë në industrinë energjetike kanë bërë që potenciali i saj të mos shfrytëzohet plotësisht.

Arabia Saudite, një nga fuqitë më të mëdha energjetike në botë

Arabia Saudite zotëron rreth 267.2 miliardë fuçi, ose mbi 15% të rezervave botërore. Por fuqia e saj nuk qëndron vetëm te rezervat.
Arabia Saudite ka ndërtuar një nga sistemet më të fuqishme në botë për: nxjerrjen e naftës; eksportimin; rafinimin; industrinë petrokimike; kontrollin strategjik të tregjeve energjetike. Pikërisht ky kombinim e ka bërë Arabinë Saudite një nga fuqitë më të rëndësishme energjetike dhe ekonomike në planet.

Irani, gjigant energjetik me potencial të jashtëzakonshëm

Irani zotëron rreth 208.6 miliardë fuçi naftë, që përfaqësojnë rreth 11.82% të rezervave botërore. Përveç naftës, Irani ka gjithashtu rezerva shumë të mëdha të gazit natyror. Pozita e tij gjeografike pranë Gjirit Persik dhe rrugëve më të rëndësishme të transportit të energjisë e bën atë një fuqi të madhe gjeopolitike. Megjithatë, potenciali i plotë ekonomik është kufizuar për vite nga sanksionet dhe tensionet ndërkombëtare.

Kanadaja, fuqia energjetike e Amerikës së Veriut

Kanadaja zotëron rreth 163.1 miliardë fuçi, ose 9.24% të rezervave botërore. Pjesa më e madhe e këtyre rezervave lidhet me rërat naftëmbajtëse. Kanadaja ka një avantazh shumë të rëndësishëm: kombinimin e rezervave të mëdha, teknologjisë moderne, stabilitetit institucional dhe qasjes në tregjet e mëdha të Amerikës së Veriut. Kjo e bën atë një nga fuqitë më të rëndësishme energjetike globale.

Iraku, një gjigant i pasurisë nëntokësore

Iraku renditet në vendin e pestë në botë me rreth 145 miliardë fuçi naftë, ose 8.22% të rezervave botërore. Iraku ka potencial të jashtëzakonshëm për të qenë një nga prodhuesit dhe eksportuesit më të fuqishëm të naftës në botë. Megjithatë, zhvillimi i plotë i këtij potenciali është ndikuar nga luftërat, krizat politike dhe problemet infrastrukturore.

Por kush përfiton më shumë nga nafta?

Këtu qëndron dallimi më i madh ekonomik. Vlera e naftës nuk përfundon në momentin kur ajo nxirret nga toka. Një fuçi nafte bruto mund të përpunohet në: benzinë; dizel; karburant për aviacion; gaz të lëngshëm; vajra lubrifikues; asfalt; plastikë; produkte kimike; materiale industriale; qindra produkte të tjera. Prandaj, vendet që kanë ndërtuar rafineri moderne dhe industri të zhvilluar petrokimike krijojnë vlerë të shtuar dhe mund të përfitojnë shumë më tepër përgjatë zinxhirit ekonomik të naftës.

Nafta është pasuri, por rafinimi dhe industria sjellin vlerën e shtuar

Në ekonominë moderne, fuqia nuk matet vetëm me numrin e fuçive që ndodhen nën tokë. Fuqia matet edhe me: kapacitetin për nxjerrje; kapacitetin për rafinim; teknologjinë; industrinë petrokimike; kapacitetet e depozitimit; rrjetin e transportit; qasjen në tregjet ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse disa vende që nuk kanë rezervat më të mëdha të naftës janë bërë fuqi të mëdha në industrinë e përpunimit dhe të derivateve.

Fuqia e rafinerive dhe derivateve

Rafineritë moderne shndërrojnë naftën bruto në produkte me vlerë shumë më të lartë ekonomike.
Vende si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës; Kina; India; Koreja e Jugut; Arabia Saudite; kanë ndërtuar kapacitete të jashtëzakonshme të rafinimit dhe përpunimit të naftës. Një nga komplekset më të mëdha të rafinimit në botë është Jamnagar në Indi, i cili përfaqëson fuqinë e industrisë moderne të përpunimit të naftës.
Mesazhi ekonomik është i qartë: Kush zotëron rezervën, zotëron pasurinë natyrore.
Kush kontrollon rafinimin, teknologjinë dhe tregun, krijon vlerë të shtuar dhe mundësi për përfitime më të mëdha ekonomike.

Mësimi për Kosovën

Kosova nuk disponon rezerva të konsiderueshme të naftës dhe mbetet pothuajse tërësisht e varur nga importi i derivateve. Kjo e bën ekonominë dhe qytetarët e Kosovës të ndjeshëm ndaj: rritjes së çmimeve ndërkombëtare; krizave gjeopolitike; konflikteve dhe luftërave; ndërprerjeve të rrugëve tregtare; mungesës së furnizimit; luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare.
Për këtë arsye, Aleanca Kosovare e Bizneseve konsideron se Kosova duhet të ndërtojë një strategji shumë më serioze për sigurinë energjetike.

AKB kërkon:
1. Rritjen e rezervave strategjike të derivateve
Kosova duhet të ketë kapacitete të mjaftueshme depozitimi për të përballuar krizat dhe ndërprerjet e furnizimit.
2. Diversifikimin e burimeve të furnizimit
Varësia nga një numër i kufizuar furnizuesish ose rrugësh tregtare krijon rrezik ekonomik dhe strategjik.
3. Investime në infrastrukturën energjetike
Depozitat, terminalet dhe infrastruktura e transportit duhet të trajtohen si çështje e sigurisë kombëtare.
4. Zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme
Energjia solare, energjia e erës dhe burimet e tjera vendore duhet të zhvillohen për të ulur varësinë energjetike dhe ekonomike nga importi.
5. Bashkëpunimin rajonal për sigurinë energjetike
Kosova duhet të rrisë bashkëpunimin me SHBA-në, Shqipërinë dhe vendet e rajonit për krijimin e korridoreve më të sigurta energjetike dhe tregtare, si dhe për mundësinë e furnizimit me gaz amerikan.

Përfundimi i AKB-së

Venezuela, Arabia Saudite, Irani, Kanadaja dhe Iraku zotërojnë rreth 62% të rezervave të provuara botërore të naftës. Por studimi i AKB-së nxjerr një përfundim të rëndësishëm: Pasuria nëntokësore nuk është e njëjtë me fuqinë ekonomike. Fuqia e vërtetë ekonomike krijohet nga kombinimi i: Rezervave + Teknologjisë + Rafinimit + Industrisë petrokimike + Tregut. Vendet që përpunojnë naftën dhe e shndërrojnë atë në qindra produkte me vlerë të shtuar krijojnë përfitime shumë më të mëdha ekonomike.
Mesazhi i AKB-së është i qartë: Nafta është pasuri natyrore. Rafinimi është fuqi industriale. Derivatet janë vlerë ekonomike. Siguria e furnizimit është interes kombëtar.

Për Kosovën, sfida nuk është të zotërojë naftë që nuk e ka, por të ndërtojë një sistem modern të sigurisë së furnizimit, depozitimit strategjik, diversifikimit të burimeve dhe zhvillimit të energjisë vendore.
Njëkohësisht, Kosova duhet të punojë për forcimin e lidhjeve rajonale energjetike dhe për mundësinë e kyçjes në projekte të gazit natyror dhe korridoreve ndërkombëtare të furnizimit, përfshirë mundësitë që krijohen nga furnizimi me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga tregjet ndërkombëtare, përfshirë SHBA-në. “Siguria energjetike nuk është vetëm çështje ekonomike. Ajo është çështje e sigurisë kombëtare, e stabilitetit të tregut dhe e mbrojtjes së qytetarëve dhe bizneseve nga krizat e ardhshme”, tha në përfundim të këtij studimi Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, është shprehur optimist…