Kurti para takimit me Abdixhikun për presidentin: I kemi mundësitë reale

31 gusht 2026 | 12:53

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri.

Para takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në Kuvendin e Kosovës, Kurti tha se palët kanë vullnet dhe mundësi reale për të arritur një pajtim.

“E kemi vullnetin e mirë, i kemi mundësitë reale. Tash po ecim përpara siç po e shihni dhe urojmë të mbërrijmë në një marrëveshje”, deklaroi Kurti.

Takimi i sotëm është pjesë e serisë së bisedimeve mes LV-së dhe LDK-së, të cilat janë zhvilluar në përpjekje për të gjetur një emër konsensual për presidentin dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.

Kurti dhe Abdixhiku kanë diskutuar edhe më herët për kandidatë konkretë, por deri tani nuk është bërë publik një emër për të cilin të dyja palët kanë arritur pajtim.

Abdixhiku, i cili kishte arritur në Kuvend para Kurtit, nuk është deklaruar për mediat para takimit.

Në ditët e fundit, të dy liderët kanë sinjalizuar se procesi ka avancuar, ndërsa nga LV-ja është kërkuar që një marrëveshje eventuale të shoqërohet me garanci për votat e LDK-së në Kuvend. Takimi i sotëm pritet të tregojë nëse palët do të arrijnë më në fund një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Demokracia në Veprim (DnV) vlerëson se u.d. presidentja Albulena Haxhiu,…