“Ora e Pritjes” nis edhe në Malishevë, ora e lirisë për çlirimtarët
Në aktivitetin e organizuar në Malishevë morën pjesë përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, së bashku me qytetarë dhe përfaqësues lokalë.
Nga Malisheva u përcoll mesazhi se “Ora e Pritjes” është ora e lirisë për çlirimtarët, një simbol i pritjes, besimit dhe mbështetjes për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në Hagë.
Përfaqësuesit e “Liria Ka Emër” theksuan se përfshirja e gjithnjë e më shumë qyteteve në këtë nismë dëshmon për një ndjenjë të gjerë solidariteti dhe përkushtimi për ruajtjen e kujtesës dhe vlerave të luftës çlirimtare.
“Kosova po pret. Nga Prishtina e deri në Malishevë, çdo orë që numëron mbrapsht bart të njëjtin mesazh: presim drejtësi, presim liri për çlirimtarët tanë”, ishte mesazhi i përcjellë gjatë aktivitetit.
Aktiviteti në Malishevë zhvillohet në prag të Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku qytetarë nga e gjithë Kosova pritet të bashkohen në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
Platforma “Liria Ka Emër” po vazhdon aktivitetet në qytete të ndryshme të Kosovës me mesazhin e përbashkët:
Kosova po pret. Ora e Pritjes është Ora e Lirisë!



