Një tjetër sukses i rëndësishëm për pianistin e ri kosovar Triumf Lupçi
Nxënësi i Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” mori pjesë në një garë ndërkombëtare të pianos të zhvilluar në Maltë, ku në mesin e garuesve nga vende të ndryshme ishte përfaqësuesi i vetëm nga Kosova.
Me interpretimin e tij, Triumf Lupçi arriti të vlerësohet me Çmimin e Parë, duke e përfaqësuar Kosovën me sukses në këtë event ndërkombëtar.
Ky çmim i radhës i shtohet një serie të gjatë suksesesh të pianistit të ri, i cili gjatë viteve të fundit ka marrë pjesë në gara dhe aktivitete të ndryshme ndërkombëtare. Sipas raportimeve të mëhershme, Triumfi ka fituar çmime në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Poloni, Itali, Spanjë, Austri dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Për këtë sukses, mirënjohje i takojnë edhe Piano Balkan Academy “S. Thalberg” dhe profesorit Giuseppe Devastato, për mbështetjen dhe udhëzimin profesional.
Po ashtu, një falënderim i veçantë shkon për profesoren Besjana Tishukaj dhe profesorin Bardh Dubovci, për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e tij muzikor.
Suksesi i Triumf Lupçit në Maltë është një tjetër moment krenarie për Kosovën duke dëshmuar edhe një herë potencialin e madh të talenteve të reja kosovare në muzikën klasike.




