Ish-bashkëlojtari i Ronaldos tregon si është portugezi pas dyerve të mbyllura
Ish-futbollisti spanjoll, Alvaro Gonzalez ka treguar përvojën e tij duke ndarë dhomën e zhveshjes me Cristiano Ronaldon, duke zbuluar një anë të yllit portugez që nuk shihet gjithmonë në publik.
Gjatë një transmetimi të ndeshjes Racing-Elche në “Radio MARCA”, Gonzalez u pyet për kohën kur luajti përkrah Ronaldos në Arabinë Saudite dhe për mënyrën se si sillej portugezi me bashkëlojtarët.
Përgjigjja e tij ishte e qartë.
“Sinqerisht, dhe pasi e kam konfirmuar edhe me disa ish-bashkëlojtarë që kemi pasur të përbashkët, ai është një fenomen i vërtetë në dhomën e zhveshjes”, ka treguar González.
Sipas ish-mbrojtësit, Ronaldo ndryshon plotësisht sapo del në fushë.
“Sapo kalon nga dhoma e zhveshjes në fushë, ai ndryshon komplet”, ka thënë ai, duke e përshkruar Ronaldon si “një bishë të konkurrencës” kur bëhet fjalë për garën sportive.
Në jetën e përditshme, megjithatë, González e ka përshkruar portugezin si një person shumë më të thjeshtë dhe të afërt.
“Në dhomën e zhveshjes është një person super normal, i afërt dhe që të ndihmon”, ka deklaruar ai.
González ka kujtuar edhe ndihmën që mori nga Ronaldo kur iu bashkua klubit.
“Ai na ndihmoi jashtëzakonisht shumë kur erdhi, për shkak të disa gjërave që po ndodhnin gjatë atij viti, dhe na ndihmoi me gjithçka”, ka rrëfyer ish-futbollisti.
Ai ka thënë se përjetimi nga afër i kësaj ane të Ronaldos ishte një prej përvojave më të veçanta gjatë periudhës së tij në Arabinë Saudite.
“Kur e përjeton vetë nga afër, është shumë më e bukur”, ka thënë González.
Ish-bashkëlojtari i Ronaldos ka folur edhe për privilegjin e të pasurit mundësinë të luante dhe të ndante dhomën e zhveshjes me dy prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Ronaldon dhe Lionel Messin.
“Ata janë njerëz, si ai ashtu edhe Messi, që do të mbeten në historinë e sportit, të futbollit”, ka deklaruar ai.
Gonzalez ka treguar edhe disa momente humoristike nga stërvitjet. I pyetur nëse kishte guxuar t’ia “prishte qejfin” Ronaldos gjatë ushtrimeve, ai është përgjigjur: “Gjithmonë”.
Megjithatë, sipas tij, çdo tension zhdukej shpejt.
“Shikimet e këqija… më pas shkonim në jacuzzi, qeshnim pak, bënim shaka dhe gjithçka kalonte”, ka treguar ai duke qeshur.
Gonzalez ka theksuar se Ronaldo e vlerësonte konkurrencën e fortë edhe gjatë stërvitjeve, veçanërisht pas kalimit në një kampionat jashtë Evropës.
“Atij i pëlqen që ne të jemi konkurrues në stërvitje”, ka shpjeguar ai.
Sipas ish-bashkëlojtarit, Ronaldo ishte i vendosur të ruante standardet e tij të larta dhe të vazhdonte të punonte fort, me një objektiv të madh personal në horizont: arritjen e shifrës prej 1 000 golash në karrierë.




