Hamza takohet me ambasadorin gjerman: Askush nuk mund ta vendosë vullnetin politik mbi Kushtetutën

01 shtator 2026 | 13:16

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, krizën institucionale dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova.

Sipas PDK-së, në takim është diskutuar për nevojën e konstituimit të Kuvendit sa më parë, respektimin e rendit kushtetues dhe sundimin e ligjit, si dhe për zhvillimin ekonomik dhe avancimin e proceseve integruese të Kosovës.

Hamza ka theksuar se funksionimi i shtetit dhe respektimi i Kushtetutës nuk mund të jenë çështje e vullnetit politik të një partie apo individi, por përbëjnë detyrim institucional dhe themel të demokracisë.

Ai ka ndarë me ambasadorin gjerman shqetësimin për precedentin e krijuar, siç ka thënë, nga refuzimi i partisë që ka dalë e para në zgjedhje për të vepruar në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Kryetari Hamza rikonfirmoi vendosmërinë e PDK-së për të përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale në mbrojtje të Kushtetutës, institucioneve të Republikës dhe interesit të qytetarëve”, ka njoftuar PDK-ja.

Hamza ka theksuar se PDK-ja mbetet e përkushtuar për ndërtimin e një Kosove demokratike, funksionale dhe ekonomikisht të zhvilluar, si dhe për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike dhe forcimin e lidhjeve me aleatët strategjikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Platforma “Liria ka Emër” ka publikuar klipin promovues për protestën…