Ftesa për votimin e presidentit? Gjini: Nuk kam kohë për lojëra të fëmijëve
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, është deklaruar rreth propozimit të Bekim Sejdiut si kandidat për president, pas marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.
Gjini ka thënë se Aleanca nuk ka asnjë obligim ndaj marrëveshjeve të arritura mes dy subjekteve të tjera politike.
“Qëndrimi i Aleancës është i qartë që prej 7 qershorit, ne nuk kemi kurrfarë obligimi ndaj çfarëdo marrëveshje që bëjnë dy partitë politike tjera. Nuk shohim kurrfarë vullneti të kësaj qeverie me u marrë me çfarëdo teme që ka të bëjë me qytetarët, me të ardhmen e vendit”, është shprehur Gjini.
I pyetur nëse do t’i përgjigjej ftesës së Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për votimin e presidentit, Gjini ka thënë se nuk ka kohë për “lojëra”.
“Unë nuk kam kohë për këso lojëra të fëmijëve, që është prapë me qëllim të mashtrimit të opinionit publik, dhe dërgimin e Kosovës në zgjedhje, e me synu me ia lanë fajin partive tjera”, është shprehur ai.



