Lushaku: Do ta mbështes kandidaturën e Bekim Sejdiut për president
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka deklaruar se do ta mbështesë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Para mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, ku pritet të diskutohen zhvillimet politike, konstituimi i Kuvendit dhe çështja e presidentit, Lushaku tha se kandidatura e Sejdiut do të shqyrtohet në kuadër të diskutimeve të brendshme të partisë.
Ajo sqaroi se kryetari i LDK-së dhe ekipi negociues kanë pasur autorizime të plota për zhvillimin e bisedimeve dhe propozimin e emrave për president.
Sa i përket kandidatit Bekim Sejdiu, Lushaku tha se ai e ka mbështetjen e saj, duke e vlerësuar si person me integritet dhe përvojë në fusha të rëndësishme për shtetin e Kosovës.
“Bekim Sejdiu është edhe kolegu im në Universitetin e Prishtinës prej kohësh. Është një person që ka bartur peshë dhe ka qenë pjesë e procesit të shtetformimit, zhvillimit të arsimit të lartë në Kosovë dhe diplomacisë. Prandaj, i bart të gjitha cilësitë të cilat mund t’i bartë një president”, deklaroi Lushaku.
Sipas saj, në rrethanat aktuale politike, zgjedhja e presidentit dhe funksionalizimi i institucioneve janë të domosdoshme për t’i ofruar vendit stabilitet politik.
Lushaku theksoi se votimi i presidentit nuk është vetëm përgjegjësi e LDK-së dhe LV-së, pasi kandidatura do të hidhet për votim në Kuvendin e Kosovës dhe për të kërkohet mbështetja e deputetëve nga të gjitha partitë politike.
Ajo shtoi se secili deputet mban përgjegjësi individuale për vendimin e tij dhe duhet t’u japë llogari publikisht votuesve për votën e dhënë ose të munguar.
“Si rrjedhojë, unë do ta mbështes këtë kandidaturë për t’i dhënë institucione vendit”, përfundoi Lushaku.



