Aleanca: Njerëzit që po e mbajnë pushtetin ilegalisht i kanë qëllim zgjedhjet e reja
Aleanca ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Kryetarëve të Degëve, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend.
Në një njoftim për media, kjo parti ka dalë me qëndrimin e saj sa i përket çështjes së presidentit.
Subjekti që udhëhiqet nga Ardian Gjini ka thënë se njerëzit që po e mbajnë ilegalisht pushtetin, synim kryesor kanë dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.
“Sa i përket çështjes së zgjedhjes së Presidentit, Aleanca e ka bërë të qartë se qëllimi i njerëzve që sot po e mbajnë pushtetin ilegalisht është çuarja e vendit në zgjedhje të reja. Ajo që kemi parë deri tani përputhet me atë që kemi thënë vazhdimisht, fajësimi i partive të tjera dhe caktimi i datës së mbajtjes së zgjedhjeve në datën që u konvenon atyre.”, thuhet në njoftim.
Aleanca ka kritikuar pushtetin e Kurtit për lidhje me mafinë energjetike dhe krizën që ka kapluar vendin.
“Pushteti që e lë vendin pa energji dhe në mëshirën e mafias energjetike, që energjinë e sjell prej Serbisë. Pushteti që blen edhe barna, gur e zall prej Serbisë. Pushteti që i dënon bizneset vendore dhe shkatërron ekonominë e vendit. Pushteti që krejt çka arrin të bëjë është t’i përçajë qytetarët e vendit, nuk meriton të qeverisë me jetën e qytetarëve.”, thuhet në njoftim.



