Sot shpallet aktgjykimi ndaj Xhelal Sveçlës për gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës
Gjykata Themelore në Prishtinë pritet ta shpallë sot aktgjykimin ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Rasti lidhet me ngjarjen e 21 marsit 2018, kur gjatë seancës plenare për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ishin aktivizuar dhe hedhur bombola me gaz lotsjellës.
Prokuroria pretendon se Sveçla e kishte aktivizuar dhe hedhur gazin lotsjellës brenda sallës së Kuvendit, duke bërë që deputetët dhe personat e tjerë të pranishëm të largoheshin dhe seanca të ndërpritej.
Në fjalën përfundimtare, Prokuroria kërkoi që Sveçla të shpallet fajtor dhe të dënohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, duke theksuar se, sipas ekspertizës, bombola e gazit lotsjellës konsiderohet armë.
Ndërkaq, Prokuroria hoqi dorë nga akuza për “Pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, pasi kjo vepër ishte parashkruar.
Sveçla ka mohuar fajësinë, ndërsa në fjalën përfundimtare ka deklaruar se veprimi i tij kishte qenë aktivitet politik për kundërshtimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Aktakuza në këtë rast ishte ngritur në korrik të vitit 2019, shkruan Sinjali. Fillimisht, në të njëjtën dosje ishin përfshirë edhe Salih Zyba, Drita Millaku dhe Fitore Pacolli-Dalipi, por procedura ndaj Sveçlës është veçuar.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, kryetari i trupit gjykues, Sabit Sadikaj, caktoi 2 shtatorin për shpalljen e aktgjykimit. Sot pritet të mësohet nëse Sveçla do të shpallet fajtor apo do të lirohet nga akuza.



