Kosova po i kalon ditët më të rënda
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar edhe sot aksionin para Qeverisë së Kosovës së bashku me deputetë të Aleancës. Në aksion janë bashkuar edhe asamblistë dhe aktivistë nga komuna e Drenasit.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se situata aktuale është shqetësuese dhe se Kosova po përballet me mungesë të institucioneve.
“Se jemi sot këtu bashkë me kolegët deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës, po ashtu jemi edhe me asamblistët e Drenasit. Natyrisht, po e shprehim prapë shqetësimin tonë, sepse Kosova po i kalon ditët e saj më të rënda, pa institucione. Ju e keni parë dhe jeni dëshmitarë të deklarimeve të kryesuesit të seancës plenare, zotit Dehari, i cili kur diskutonte për thirrjen e seancës, kërkonte që të ketë një marrëveshje politike. Mbrëmë qartazi e pamë të gjithë: nuk ka marrëveshje politike dhe Albin Kurti nuk po e thërret seancën.
Prandaj, edhe sot e përsërisim thirrjen tonë që e bëjmë tash e sa kohë. Albin Kurti duhet ta ftojë seancën, të kthehet në Kuvend, t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja. E thashë dhe po e ripërsëris: janë ditë të rënda që po i përjeton qytetari i Kosovës. Kosova po stagnon në të gjitha drejtimet e saj. Dje e kemi parë një protestë në sheshin e qytetit ku komunat e Kosovës, qytetarë nga të gjitha komunat kanë protestuar për shkak të diskriminimit dhe qasjes joserioze që po e bën Albin Kurti dhe përfaqësuesit e partisë së tij.
Prandaj, kërkesa jonë sot është që ta lërë njëherë e përgjithmonë egon e tij, t’i kthehet krijimit të institucioneve të reja dhe ta ndalë bllokadën politike që po e bën si parti që ka marrë besimin më të madh të qytetarëve të Kosovës. Ia kemi borxh këtij vendi, ia kemi borxh gjeneratave të reja, por mbi të gjitha ia kemi borxh Kosovës që t’i hapim rrugë krijimit të institucioneve të reja, dhe thirrja ime sot është që zoti Dehari ta ftojë seancën sepse nuk ka më kohë për të pritur.
Kemi tejkaluar çdo afat kushtetues, çdo afat ligjor dhe jemi përtej çdo norme demokratike e kushtetuese. Prandaj po e përsëris: kthehuni në seancë, konstituoni Kuvendin, pastaj mundësitë janë që ai, nëse i ka votat, të procedojë me zgjedhjen e presidentit”, tha Deliu.




