Kurti: Qeveria po investon 3.8 milionë euro për rinovimin energjetik të 13 objekteve publike

02 shtator 2026 | 13:54

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës po investon 3.8 milionë euro për rinovimin energjetik të 13 objekteve publike në katër komuna, përfshirë Komunën e Vitis.

Kurti këto deklarata i ka bërë në Viti, gjatë përurimit të masave të efiçiencës së energjisë në SHFMU “28 Nëntori”.

Sipas tij, në renovimin energjetik të shkollës “28 Nëntori” janë investuar rreth 118 mijë euro, me synimin për krijimin e kushteve më të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle, dhe jo vetëm, do ta kenë mbështetjen e pakursyer të qeverisë së Republikës së Kosovës, për Eficiencë të Energjisë, por gjithashtu edhe për arsimim cilësor. Për Eficiencë të Energjisë në këtë shkollë kemi investuar rreth 118 mijë euro, ideja është që temperatura ndriçimi ajri pastaj dritaret kaldaja që të gjitha këto të përbëjnë një sistem që mundëson kushte sa më të dinjitetshme e të përshtatshme edhe për mësimdhënësit që punojnë, por edhe për nxënësit që mësojnë… Kjo është një prej 5 objekteve të rinovuara në Viti, në kuadër të marrëveshjes së qeverisë me komunat dhe me Fondin e Kosovës për Eficiencë të Energjisë, në gjithë skemën qeveria po investon 3.8 milionë euro për rinovimin energjetik të 13 objekteve publike në 4 komuna”, ka deklaruar Kurti.

Ndërsa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se masat e ndërmarra në shkolla kanë sjellë kursime të konsiderueshme të energjisë.

Ajo ka bërë me dije se investimi prej 118 mijë eurosh ka përfshirë termoizolimin e mureve të jashtme, izolimin e kulmit, ndërrimin e dyerve dhe dritareve, instalimin e sistemit të ngrohjes me pelet dhe ndriçimin LED.

“Masat e eficiencës në vlerë prej 118 mijë euro, përfshijnë termoizolimin e mureve të jashtme, izolimin e kulmit, ndërrimin e dyerve dhe dritareve, instalimin e sistemit të ngrohjes me pelet dhe ndriçimin eficient LED. Ndërsa efektet janë tashmë të prekshme për nxënësit dhe të gjithë këtu, kursimet në baza vjetore janë rreth 75 për qind, ose 118 mijë kilovat-orë në vit. Do të thotë, kjo është një, nga njëra anë, përmirësim i kushteve të mësimnxënies për nxënësit, edhe uljes së ndotjes, sepse përpara ka qenë kapaciteti i kaldasë më i madh dhe ka qenë me dru, tashti për shkak se është më efiçientë, kapaciteti është më i ulët dhe është më pelet, që do të thotë është më pak ndotës për ajrin këtu gjatë dimrit për fëmijët”, është shprehur Rizvanolli.

Rizvanolli u ka bërë thirrje komunave që të aplikojnë në thirrjen e re që pritet të hapet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë gjatë muajve në vijim.

Në anën tjetër, drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha, ka vlerësuar se investimet nuk kanë sjellë vetëm kursim të energjisë, por edhe kushte më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Përveç kursimit në energji, këtu është ofruar edhe një komoditet për nxënësit dhe mësimdhënësit”, ka thënë Hoxha.

Më tutje, drejtori i ShFMU “28 Nëntori”, Sherif Neziri, në emër të drejtorisë së shkollës, ka falënderuar institucionet për investimin dhe përmirësimin e kushteve në këtë objekt.

Pas përurimit të masave të efiçiencës së energjisë në SHFMU “28 Nëntori”, të njëjtit kanë vazhduar aktivitetin në Qendrën për Punë Sociale në Viti, ku gjithashtu janë implementuar masa për përmirësimin e efiçiencës së energjisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Shkollës Shqipe në Michigan dhe veprimtari i dalluar…