Abdixhiku për takimin me Kurtin: “Kur je në marrëveshje, kështu bëhen gjërat në botën e civilizuar””

02 shtator 2026 | 23:27

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për takimin e zhvilluar sot me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

I ftuar në emisionin “Adresa” në Kanal 10, Abdixhiku tha se takimi ishte planifikuar më herët dhe se ai erdhi si një hap normal drejt përmbylljes së procesit të nisur për zgjedhjen e presidentit.

“Ne në takimin e sotëm me Kurtin ishim dakorduar paraprakisht që gjatë gjithë procesit të kandidatit konsensual ta bëjmë marrëveshjen. Të takohemi me partitë dhe të kthehemi në takim. Njoftuam njëri-tjetrin për përfundimet, siç e do rregulli”, deklaroi Abdixhiku.

Ai tha se takimi nuk duhet të interpretohet përtej asaj që, sipas tij, ishte qëllimi i tij, duke theksuar se çdo takim politik po përcillet me analiza dhe spekulime.

“Është takim i planifikuar më herët, si hap normal drejt përmbylljes së këtij procesi të nisur me kohë. Ndonëse çdo takim përcillet me shumë analiza e spekulime, po më vjen keq edhe për ofendimet”, tha ai.

Abdixhiku iu referua edhe raportimeve për takimin e tij me Kurtin, duke kundërshtuar mënyrën se si ishte paraqitur në opinion.

“Sot pashë se si ishte raportuar që kryetari i LDK-së shkoi t’i raportonte atij të VV-së. Kur je në marrëveshje, kështu bëhen gjërat në botën e civilizuar”, u shpreh Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka…