Cakolli: Afati për dekretimin ose kthimin e Ligjit për Specialen përfundon të premten

21 tetor 2026 | 23:32

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka sqaruar se presidentja e Kosovës mund ta kthejë Ligjin për Specialen në Kuvend për rishqyrtim, nëse vlerëson se ai cenon interesat legjitime të Kosovës ose të komuniteteve.

Sipas Cakollit, afati për dekretimin ose kthimin e këtij ligji përfundon të premten, më 23 tetor. Nëse presidentja nuk merr vendim brenda afatit, ligji konsiderohet i shpallur edhe pa dekret dhe hyn në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Ai ka theksuar se, në rast të kthimit të ligjit, Kuvendi mund ta miratojë atë sërish me së paku 61 vota, duke e përmbysur veton e presidentes.

“Për Ligjin për Specialen, afati për dekretim ose kthim përfundon këtë të premte, më 23 tetor, ndërsa kalimi i tij pa vendim e bën ligjin të konsiderohet i shpallur edhe pa dekret dhe të hyjë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Në rast kthimi, Kuvendi mund ta miratojë sërish ligjin, këtë herë me shumicën e të gjithë deputetëve, pra së paku 61 vota për, duke e përmbysur veton. Me këtë votim ligji konsiderohet i shpallur, ndërsa presidentja e ka konsumuar mundësinë e kthimit, të cilën mund ta ushtrojë vetëm një herë për të njëjtin ligj”, shkroi ai në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Cakolli ka ngritur gjithashtu çështjen e paqartësive në Rregulloren aktuale të Kuvendit lidhur me mundësinë e ndryshimit të dispozitave të kundërshtuara nga presidentja.

“Sa i përket ndryshimit të projektligjit në rast të kthimit nga Presidentja, ndryshe nga Rregullorja e vjetër e cila parashihte shprehimisht mundësinë e miratimit të korrigjimeve të çështjeve që ishin ngritur nga Presidenti, Rregullorja aktuale e Kuvendit e përshkruan vetëm mundësinë e përmbysjes së vetos dhe e lë pa shtjelluar procedurën e ndryshimeve potenciale.

Sidoqoftë, konsideroj që mundësia e Kuvendit për t’i korrigjuar dispozitat e kundërshtuara rrjedh natyrshëm nga kthimi për rishqyrtim, sepse ndryshimet shërbejnë pikërisht për t’i adresuar vërejtjet e presidentes. Paqartësia lidhet me procedurën, ndërsa kufizimi vetëm në miratimin ose rrëzimin e tekstit të mëparshëm do t’ia ngushtonte kuptimin rishqyrtimit, edhe kur problemet mund të zgjidhen duke ndryshuar disa nene.

Nëse Ligji për Specialen do të kthehet, Komisioni për Legjislacion ka katër javë nga pranimi për ta përgatitur raportin për seancë, me mundësi që shqyrtimin ta përfundojë edhe më herët. Interpretimi i Rregullores nga ky komision shërben edhe për të sqaruar mënyrën e propozimit dhe votimit të ndryshimeve, përpara se ligji të kthehet në seancë”.

Cakolli ka rikujtuar se presidentët e Kosovës kanë kthyer të paktën tetë ligje për rishqyrtim: katër gjatë mandatit të Atifete Jahjagës, dy gjatë mandatit të Hashim Thaçit dhe dy gjatë mandatit të Vjosa Osmanit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë…