NATO riorganizon KFOR-in në Kosovë, Ambasada e ShBA-së: Procesi do të bëhet në koordinim me palët

03 shtator 2026 | 15:53

NATO është duke ndërmarrë një proces gradual për optimizimin e pozicionimit të forcave të KFOR-it në Kosovë, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë thënë se ky proces do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me të gjithë aktorët relevantë.

Për këtë çështje, Ambasada e ShBA-së në Prishtinë i është përgjigjur “Telegrafit”, duke theksuar se prioritet i Uashingtonit mbetet stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor.

“NATO aktualisht është duke ndërmarrë një optimizim të pozicionimit të forcave të misionit të KFOR-it. Procesi do të jetë gradual dhe i koordinuar ngushtë me të gjithë aktorët relevantë”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë.

Ambasada amerikane ka theksuar se gjatë këtij procesi do të vazhdojë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.

“Presim vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë gjatë gjithë procesit të optimizimit të pozicionimit të forcave të NATO-s”, është thënë në përgjigje.

Në deklaratën për “Telegrafin”, ShBA-ja e ka vënë theksin edhe te rëndësia e ruajtjes së stabilitetit në rajon.

“Shtetet e Bashkuara i japin përparësi ruajtjes së stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Ne e vlerësojmë përkushtimin e KFOR-it për të mbështetur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm që siguron siguri afatgjatë për të gjitha komunitetet”, ka thënë zëdhënësi.

Deklarata vjen në kohën kur KFOR-i ka njoftuar për ndryshime në pozicionimin e forcave të tij në Kosovë, përfshirë edhe çështjen e pranisë në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

KFOR-i e ka bërë të qartë se vendimi për hapjen e urës për qarkullim nuk i takon këtij misioni, por Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Alba Vukaj, ka tërhequr…