Musliu-Shoshi: PDK-ja nuk është bllokuese, kërkojmë respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, në emisionin “Click” ka deklaruar se partia e saj nuk po e bllokon funksionimin e institucioneve, por po kërkon respektimin e rendit kushtetues dhe ligjeve të Kosovës.
Musliu-Shoshi tha se PDK-ja do të vazhdojë të kërkojë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve.
“Ne nuk jemi bllokuesit, ne jemi ata që vërtetë kërkojmë respektim të rendit kushtetues, respektim të ligjeve tona, konstituim të Kuvendit, rrjedhimisht funksionim të institucioneve”, tha ajo.
Ajo theksoi se kërkesat e PDK-së, sipas saj, janë të bazuara në ligje dhe Kushtetutën e Kosovës.
Musliu-Shoshi paralajmëroi gjithashtu se PDK-ja nuk do të qëndrojë pafundësisht në të njëjtën situatë, duke theksuar se partia ka edhe plane të tjera që do t’i shtyjë përpara.
“Ne nuk do të ndalemi, ne do të qëndrojmë, të vazhdojmë aty, mirëpo jo përgjithmonë dhe jo deri në afat të pacaktuar”, u shpreh ajo.
Deputetja e PDK-së tha se partia do të vazhdojë të kërkojë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve, ndërsa paralajmëroi se në vazhdimësi do të ndërmarrë edhe hapa të tjerë politikë./RTV21/



