Libra të këqij, të mirë

04 shtator 2026 | 08:28

George Orwell

Para pak kohësh një botues më kërkoi të shkruaja hyrjen e ribotimit të njërit prej romaneve të Leonard Merrickut. Kjo shtëpi botuese, me sa duket, do të ribotojë një seri të gjatë romanesh të dorës së dytë, pjesërisht të harruar të shekullit njëzet. Për këto kohë pa libra, shërbimi është i vyer dhe sikur e paskam zili personin, detyra e të cilit do të jetë të gërmojë nëpër kuti treqindarkëshe në gjurmim të kopjeve të librave të parapëlqyer të fëmijërisë.

Lloji i librit që shkruhet shumë rrallë sot, por i cili lulëzoi me shumë sukses në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillim të shekullit të njëzetë, është ai që Çestertoni e quan “libri i keq, i mirë”, që do të thotë, lloji i librit që nuk ka pretendime letrare, por që mbetet i lexuar edhe pasi zhduken botime më serioze. Libra qartazi të shquar të kësaj linje janë tregimet e Rafëllsit dhe Sherlok Holmsit, të cilët e kanë ruajtur pozicionin e tyre, kur të panumërtit “romane të problemeve shoqërore”, “dëshmive njerëzore” dhe “parashikimeve të tmerrshme” të kësaj apo asaj gjëje, zhyten në harresë. (Cili është zvjerdhur më pak, Conan Doyle apo George Meredith?) Pothuaj në të njëjtën kategori me ta unë përfshijë edhe tregimet më të hershme të R. Austin Freemanit, “Eshtra këngëtare”, “Syri i Osirisë” dhe të tjerë – Max Carrados të Ernest Bramahut dhe, po e ul pak stekën, trillerin tibetian të Guy Boothbyit, Dr. Nikola, version për çunakë i “Udhëtime në Tartar” i Hucit, i cili vizitën e vërtetë në Azinë Qendrore do ta bënte të dukej një zhgënjim mjerues.

Por përveç trillerave, kishte edhe disa shkrimtarë të vegjël humoristikë të kësaj kohe. Për shembull, Pett Ridge – veçse e pranoi që librat e tij më të gjatë nuk janë më të lexueshëm – E. Nesbit (Kërkuesit e thesarit), George Birmingham, i cili ishte i mirë për aq kohë sa ndenji larg politikës, Binsteadi pornografik dhe, nëse do t’i përfshija edhe librat amerikanë, Tregimet e Penrodit nga Booth Tarkington. Një shkallë më lart se shumica prej tyre ishte Barry Pain. Disa prej shkrimeve humoristike të Painit janë, ma do mendja, ende në qarkullim, por kujtdo që i bie në dorë, i rekomandoj atë që tanimë mund të jetë libër tepër i rrallë – Tetëditëshi i Klaudiusit, ushtrim brilant i temës së makabres. Disi më vonë erdhën Peter Blundell, që shkroi në stilin e W. W. Jacobsit për qytete portuale të Lindjes së Largët dhe që duket se çuditërisht është lënë në harresë, edhe pse H. G. Wellsi ka botuar një recensë lavdëruese për të. Sidoqoftë, të gjithë librat për të cilët fola, në fakt, janë letërsi “arratie”. Ata krijojnë fasha kënaqësie në kujtesën tonë, qoshe të qeta ku mendja mund të endet në çaste rastësore, por që nuk është se pretendojnë të kenë ndonjë lidhje me jetën e vërtetë.

Një lloj tjetër libri i keq, i mirë ka synime më serioze dhe mendoj se na tregon diçka në lidhje me natyrën e romanit dhe arsyet për dekadencën e tij të tanishme. Gjatë pesëdhjetë viteve të fundit ka pasur një sërë shkrimtarësh – disa prej tyre ende shkruajnë – të cilët e kam pothuaj të pamundur t’i quaj “të mirë” sipas ç’do lloj standardi rreptësishtë letrar, por të cilët janë romancierë të natyrshëm që duket se e arrijnë sinqeritetin, pjesërisht sepse nuk pengohen nga gustoja e mirë. Në këtë kategori përfshij vetë Leonard Merrickun, W. L. George, J. D. Beresford, Ernest Raymond, May Sinclair dhe – në nivel më të ulët se të tjerët, por prapë shumë të ngjashëm, A. S. M. Hutchinsonin.

Shumica e këtyre shkrimtarëve pjellorë dhe veprat e tyre natyrshëm vijnë me cilësi të ndryshme. Po mendoj për secilin rast të një apo dy librave të spikatur: për shembull, Cynthia e Merrickut, Kandidat për të vërtetën, e Jh. D. Beresfordit, Kalibani i W. L. Goerge, Labirinti i përzier i May Sinclairit dhe Ne, të akuzuarit e Ernest Raymondit. Në secilin prej këtyre librave autori ka mundur ta identifikojë veten me personazhet e imagjinuar, të ndiejë me ta dhe të ngjallë simpati në emër të tyre me një lloj braktisjeje që njerëzit më të zgjuar do ta kishin të vështirë ta jetësonin. Ata nxjerrin në pah faktin se stërhollimi intelektual mund të përbëjë pengesë për një rrëfimtar historish, siç do të ishte për një komedian të teatrit muzikor.

Le të marrim për shembull, Ne, të akuzuarit e Ernest Ray­mondit, rrëfimi i një vrasjeje bindëse dhe të neveritshme, ndoshta të mbështetur në çështjen Crippen[1]. Mendoj se ai përmirësohet goxha nga fakti se autori e rrok pjesërisht vulga­ritetin patetik të personave për të cilët po shkruan, prandaj nuk i përbuz. Ndoshta edhe përmirësohet disi – sikurse Një tragjedi amerikane, e Teodor Drajzerit – nga mënyra e plogët dhe e tejzgjatur e të shkruarit; detajet bëhen pirg mbi njëri-tjetrin, pothuaj pa asnjë përpjekje për t’i përzgjedhur dhe gjatë procesit, rritet ngadalë-ngadalë efekti i një mizorie të tmerrshme e mbytëse. Po kështu me Kandidat për të vërtetën. Ky roman nuk ka të njëjtën plogështi, por ka të njëjtën aftësi për t’i marrë seriozisht problemet e njerëzve të zakonshëm. Po kështu edhe me Cynthia dhe gjithashtu me pjesën e fillimit të Kalibani-t. Pjesa më e madhe e veprave të W. L. George ishte paçavure pa vlerë, por në këtë libër, mbështetur në karrierën e Northcliffeit, ai ka arritur të pasqyrojë imazhe të vërteta dhe mbresëlënëse të jetës së shtresës së mesme të ulët në Londër. Pjesë të këtij libri mund të jenë autobiografike dhe një nga përparësitë e shkrim­tarëve të këqij të mirë është mungesa e turpit kur shkruajnë autobiografi. Ekzibicionizmi dhe keqardhja për veten janë fatkeqësi për romancierin, e prapëseprapë, frika prej tyre dëm­ton talentin krijues.

Ekzistenca e letërsisë së keqe të mirë – fakti që dikush mund të argëtohet apo emocionohet, madje edhe të preket nga një libër të cilin intelekti refuzon ta marrë seriozisht – na kujton që arti nuk është njëlloj si aktiviteti mendor. E besoj se me çfarëdo testi që mund të jetë hartuar, Thomas Carlyle del person më inteligjent sesa Anthony Trollope. Megjithatë, Trollope ka mbetur i lexueshëm ndërsa Carlyle jo: me gjithë zgjuarsinë e tij, ai nuk ia del as të shkruajë në anglishte të thjeshtë e të drejtpërdrejtë. Te romancierët, po aq sa edhe te poetët, lidhja midis inteligjencës dhe fuqisë krijuese është e vështirë të për­caktohet. Një romancier i mirë mund të jetë gjeni i disiplinës si Floberi, ose mund të jetë harlisje intelektuale si Dikensi. Në të ashtuquajturat romane të Windham Lewisit si Tar apo Baroneti hundëpërpjetë, ai ka derdhur aq talent sa do t’i mjaftonte një duzine shkrimtarësh të zakonshëm të nisnin punën. Prapëse­prapë, të lexosh njërin nga këta libra deri në fund është punë e rëndë. Një lloj cilësie e papërcaktueshme, si vitaminë letrare, e cila gjendet edhe në një libër si Nëse vjen dimri, mungon tek ata.

Mbase shembulli më i shkëlqyer i librit “të keq, të mirë” është Kasollja e xha Tomit. Është libër argëtues pa dashur të jetë i tillë, plot me ndodhi melodramatike absurde, por po aq është prekës dhe i vërtetë në thelb; vështirë ta thuash cila cilësi ia kalon tjetrës. Kasollja e xha Tomit, tekefundit, përpiqet të jetë serioze dhe të ndeshet me botën e vërtetë. Po shkrimtarët e vërtetë të letërsisë arratiake, përcjellësit e trillerit dhe humorit “të lehtë”? Po Sherlok Holms, Anasjelltas: një mësim për baballarët,[2] Drakula, Bebet e Helenës[3] apo Minierat e Mbretit Solomon?[4] Të gjithë këta janë padyshim libra absurdë, libra me të cilët njeriu është më shumë i prirë të tallet sesa të qeshë dhe që vështirë se merren seriozisht edhe nga autorët e tyre; megjithatë kanë mbijetuar dhe, ndoshta, do të vazhdojnë të mbijetojnë. Gjithçka mund të thuhet është se, ndërsa qyte­tërimi mbetet i tillë ku njeriu ka nevojë herë pas here për shpërqendrim, “letërsia e lehtë” ka vendin e vet; gjithashtu se ekziston diçka e tillë si aftësia absolute, ose eleganca e lindur, që mund të ketë më shumë vlerë mbijetese sesa erudicioni ose fuqia intelektuale. Ka këngë të teatrove muzikore që janë poezi më të mira se tre të katërtat e atyre që hyjnë në antologji:

Eja ku pija është më e lirë,

Eja ku nxë më shumë gota,

Eja ku shefi është zemërmirë,

Eja te pabi te qoshja.

Ose tjetra:

 

Dy sy të zinj të mrekullueshëm –

Oh, çfarë befasie!

Vetëm për ta nxjerrë tjetrin gabim,

Dy sy të zinj magjie!

Më shumë do të kisha parapëlqyer të kisha shkruar njërën nga këto sesa, të themi, “Zonjëza e bekuar”[5] apo “Dashuria në lëndinë”.[6] Dhe në të njëjtën mënyrë, e besoj që Kasollja e Xha Tomit do të jetojë më gjatë se punimet e Virxhinia Ulfit apo Xhorxh Murit, megjithëse s’di të ketë ndonjë test vetëm letrar që do të tregonte ku qëndron epërsia.

Tribune, 1954

[1] Hawley Harvey Crippen (1862-1910), i njohur si dr. Crippen, ishte specialist i veshëve dhe syve dhe shpërndarës ilaçesh. Ai u var në burgun Pentonville në Londër për vrasjen e gruas Cora Henrietta Crippen.

[2] Roman komik i Thomas Anstey Guthries, botuar në vitin 1882.

[3] Një roman humoristik i autorit John Habberton i botuar në vitin 1876.

[4] Roman i njohur nga shkrimtari anglez i aventurave viktoriane Sër H. Rider Haggard..

[5] Poezi shumë e njohur e Dante Gabriel Rossettit.

[6] Poezi e George Meredithit.

Përktheu nga anglishtja: Granit Zela. Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
RALPH WALDO EMERSON Kemi shumë më tepër mirësi nga sa…