Studenti
ANTON ÇEHOV
Në fillim moti ishte i bukur dhe i qetë. Mëllenjat këndonin dhe, në kënetat aty pranë, diçka e gjallë gumëzhinte me një tingull të dhimbshëm, si të fryje në një shishe bosh. Një shapkë fluturoi pranë dhe të shtënat e drejtuara nga ajo jehuan me një tingull të gëzuar e kumbues në ajrin pranveror. Por, kur filloi të errësohej në pyll, një erë e ftohtë, depërtuese, fryu papërshtatshmërisht nga lindja dhe gjithçka u zhyt në heshtje. Gjilpëra akulli u shtrinë mbi pellgje dhe në pyll gjithçka dukej e zymtë, e largët dhe e vetmuar. Ndihej një erë dimri.
Ivan Velikopolsky, i biri i një sakristani dhe student i akademisë teologjike, duke u kthyer në shtëpi nga gjahu, ecte gjatë gjithë kohës përgjatë shtegut në livadhin buzë ujit. Gishtat i ishin mpirë dhe fytyra i digjte nga era. Atij i dukej se i ftohti që kishte ardhur papritur e kishte prishur rendin dhe harmoninë e gjërave, se vetë natyra ndihej e shqetësuar dhe se, për këtë arsye, errësira e mbrëmjes po binte më shpejt se zakonisht. Gjithandej ishte shkretë dhe çuditërisht e zymtë. E vetmja dritë ishte një që shkëlqente në kopshtet e vejushave më shumë se tri milje larg. Gjithçka përreth, në largësi, ishte zhytur në mjegullën e ftohtë të mbrëmjes.
Studenti kujtoi se, kur kishte dalë nga shtëpia, e ëma ishte ulur zbathur në dyshemenë e hyrjes dhe po pastronte samovarin, ndërsa i ati ishte shtrirë mbi sobë dhe kollitej. Meqë ishte E Premtja e Madhe, nuk ishte gatuar asgjë dhe studenti ishte tmerrësisht i uritur. Dhe tani, duke u strukur nga të ftohtit, mendoi se një erë e tillë duhej të kishte fryrë edhe në ditët e Rurikut, edhe në kohën e Ivanit të Tmerrshëm e të Pjetrit, dhe se në kohën e tyre kishte pasur po atë varfëri e dëshpërim dhe uri, po ato çati kashte me vrima, padije, mjerim, të njëjtën shkretim përreth, të njëjtën errësirë, të njëjtën ndjenjë shtypjeje – të gjitha këto kishin ekzistuar, ekzistonin dhe do të ekzistonin, dhe kalimi i një mijë vjetëve nuk do ta bënte jetën më të mirë. Dhe ai nuk donte të shkonte në shtëpi.
Kopshtet quheshin kopshtet e vejushave, sepse kujdeseshin për to dy vejusha, nënë e bijë. Një zjarr kampi digjej shndritshëm, me kërcitje, duke hedhur dritë larg mbi tokën e lëruar. Vejusha Vasilisa, një grua e moshuar, e gjatë dhe e shëndoshë, e veshur me një pallto burri, qëndronte pranë dhe shikonte mendueshëm zjarrin; e bija, Lukerya, një grua e vogël, me fytyrë të mbushur me shenja të lisë dhe me pamje të topitur, ishte ulur në tokë dhe po lante një kazan dhe lugë. Me sa dukej, sapo kishin ngrënë darkë. Dëgjoheshin zëra burrash; ishin punëtorët që po u jepnin kuajve ujë në lumë.
– Ja, dimri qenka kthyer përsëri, – tha studenti duke iu afruar zjarrit të kampit. – Mirëmbrëma!
Vasilisa u tremb, por menjëherë e njohu dhe buzëqeshi përzemërsisht.
– Nuk të njoha. Zoti të bekoftë!, – tha ajo.
– Do të bëheni e pasur.
Ata nisën të bisedojnë. Vasilisa, një grua me përvojë, e cila kishte shërbyer te njerëzit e pasur fillimisht si mëndeshë, pastaj si dado, shprehej me njëfarë hijeshie dhe një buzëqeshje të butë e të qetë nuk i largohej kurrë nga fytyra; e bija, Lukerya, një fshatare që i shoqi e kishte rrahur, vetëm ngushtonte sytë duke parë studentin dhe nuk thoshte asgjë; kishte një shprehje të çuditshme, si ajo e një shurdhmemeceje.
– Pikërisht pranë një zjarri të tillë Apostulli Pjetër ngrohte veten, – tha studenti, duke zgjatur duart drejt zjarrit, – kështu që edhe atëherë duhet të ketë qenë ftohtë. Ah, ç’natë e tmerrshme duhet të ketë qenë ajo, gjyshe! Një natë krejtësisht e zymtë, e gjatë!
Ai hodhi sytë rreth e rrotull në errësirë, tundi kokën befas dhe pyeti:
– Me siguri keni qenë në shërbesën e Dymbëdhjetë Ungjijve?
– Po, kam qenë, – u përgjigj Vasilisa.
– Nëse ju kujtohet, në Darkën e Fundit Pjetri i tha Jezusit: “Jam gati të shkoj me Ty në errësirë dhe deri në vdekje”. Dhe Zoti ynë iu përgjigj kështu: “Po të them, o Pjetër, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë”. Pas darkës, Jezusi kaloi në kopsht përmes agonisë së vdekjes dhe u lut, ndërsa Pjetri i gjorë ishte i lodhur në shpirt dhe i këputur, qepallat i rëndonin dhe nuk mund t’i rezistonte gjumit. E zuri gjumi. Pastaj dëgjuat se si Juda, po atë natë, e puthi Jezusin dhe e tradhtoi te torturuesit e Tij. E morën të lidhur te kryeprifti dhe e rrahën, ndërsa Pjetri, i rraskapitur, i drobitur nga mjerimi dhe ankthi, mezi i zgjuar, e dini, duke ndier se diçka e tmerrshme po bëhej gati të ndodhte në tokë, ndiqte pas… Ai e donte Jezusin me pasion, me gjithë forcën e shpirtit, dhe tani e pa nga larg se si po e rrihnin…
Lukerya i la lugët dhe i nguli sytë te studenti, pa i lëvizur.
– Arritën te shtëpia e kryepriftit, – vazhdoi ai; – filluan ta merrnin në pyetje Jezusin, ndërkohë që punëtorët ndezën një zjarr në oborr, sepse ishte ftohtë, dhe u ngrohën. Edhe Pjetri qëndroi me ta pranë zjarrit dhe u ngroh, ashtu siç po bëj unë tani. Një grua, kur e pa, tha: “Edhe ky ishte me Jezusin” – që do të thoshte se edhe ai duhej të merrej në pyetje. Dhe të gjithë punëtorët që qëndronin pranë zjarrit duhet ta kenë parë me dyshim dhe me armiqësi, sepse ai u hutua dhe tha: “Nuk e njoh”. Pak më vonë dikush tjetër e njohu si një prej dishepujve të Jezusit dhe tha: “Edhe ti je njëri prej tyre”, por ai përsëri e mohoi. Dhe për herë të tretë dikush iu drejtua: “Po a nuk të pashë sot me Të në kopsht?” Për herë të tretë ai e mohoi. Dhe menjëherë pas kësaj gjeli këndoi dhe Pjetri, duke parë nga larg Jezusin, kujtoi fjalët që Ai i kishte thënë në mbrëmje… I kujtoi, erdhi në vete, doli nga oborri dhe qau me dënesë. Në Ungjill shkruhet: “Doli jashtë dhe qau me dënesë”. E përfytyroj: kopshtin të qetë, të errët dhe, në atë qetësi, një vajtim i mbytur, që mezi dëgjohej…
Studenti psherëtiu dhe u zhyt në mendime. Ende duke buzëqeshur, Vasilisa papritur lëshoi një gulçim, lot të mëdhenj i rrodhën lirshëm nëpër faqe dhe ajo e mbuloi fytyrën nga zjarri me mëngë, sikur të turpërohej nga lotët e saj, ndërsa Lukerya, duke e vështruar pa lëvizur studentin, u skuq flakë dhe shprehja e saj u bë e tendosur dhe e rëndë, si ajo e dikujt që po duron një dhimbje të madhe.
Punëtorët u kthyen nga lumi dhe një prej tyre, mbi kalë, ishte fare pranë; drita e zjarrit dridhej mbi të. Studenti u uroi natën e mirë vejushave dhe vazhdoi rrugën. Përsëri errësira e rrethoi dhe gishtat filluan t’i mpiheshin. Një erë e egër po frynte, dimri kishte ardhur vërtet përsëri dhe nuk dukej aspak sikur Pashkët do të ishin pasnesër.
Tani studenti po mendonte për Vasilisën: meqë ajo kishte derdhur lot, gjithçka që i kishte ndodhur Pjetrit një natë para Kryqëzimit duhej të kishte një lidhje me të…
Ai hodhi sytë pas. Drita e vetmuar ende shkëlqente në errësirë dhe tani nuk dukej më asnjë figurë pranë saj. Studenti mendoi përsëri se, nëse Vasilisa kishte derdhur lot dhe e bija ishte trazuar, ishte e qartë se ajo që sapo u kishte treguar, që kishte ndodhur nëntëmbëdhjetë shekuj më parë, kishte një lidhje me të tashmen – me të dyja gratë, me fshatin e shkretë, me vetë atë, me të gjithë njerëzit. Plaka kishte qarë jo sepse ai dinte ta tregonte historinë në mënyrë prekëse, por sepse Pjetri ishte i afërt me të, sepse e gjithë qenia e saj ishte e përfshirë në atë që po ndodhte në shpirtin e Pjetrit.
Dhe papritur një gëzim u zgjua në shpirtin e tij dhe ai madje u ndal për një minutë për të marrë frymë.
“E kaluara, -mendoi ai, – është e lidhur me të tashmen nga një zinxhir i pandërprerë ngjarjesh që rrjedhin njëra nga tjetra”.
Dhe iu duk se sapo kishte parë të dyja skajet e atij zinxhiri, se kur preku njërin skaj, tjetri u drodh.
Kur e kaloi lumin me traget dhe më pas, duke u ngjitur në kodër, pa fshatin e tij dhe nga ana e perëndimit, kur perëndimi i ftohtë i kuqërremtë shtrihej si një vijë e ngushtë drite, ai mendoi se e vërteta dhe bukuria, të cilat e kishin udhëhequr jetën njerëzore atje, në kopsht dhe në oborrin e kryepriftit, kishin vazhduar pa ndërprerje deri në atë ditë dhe, me sa dukej, kishin qenë gjithmonë gjëja më e rëndësishme në jetën njerëzore dhe, në të vërtetë, në gjithë jetën tokësore; dhe ndjenja e rinisë, e shëndetit, e fuqisë – ai ishte vetëm njëzet e dy vjeç -dhe pritja e ëmbël, e papërshkrueshme e lumturisë, e një lumturie të panjohur e misterioze, e pushtuan pak nga pak, dhe jeta iu duk magjepsëse, e mrekullueshme dhe plot me një kuptim të lartë.
Përktheu nga anglishtja: Edonis Shala. Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”



