Dëshira për të pikturuar
CHARLES BAUDELAIRE
Sa fatkeq është ndoshta njeriu, por sa i lumtur është artisti, të cilin e përvëlon dëshira në shpirt!
Mezi pres të pikturoj atë që e pashë aq pak dhe që u largua aq shpejt si një diçka e bukur që të vjen keq, pas udhëtarit të panjohur që rrëmbeu nata. Sa kohë kanë kaluar qëkurse ajo u zhduk!
Ajo është e bukur, më shumë se e bukur, ajo është befasuese. Tek ajo mbizotëron e zeza dhe gjithçka që të vjen ndër mend kur e shikon është e errët dhe e thellë. Sytë e saj janë si dy zgavra ku shkëlqen misteri dhe shikimi i saj ndriçon si vetëtima, si një shpërthim në terr.
Do ta krahasoja me një diell të zi, po të pranonim që një yll i zi mund të përhapë dritë dhe lumturi. Por ajo i ngjan më tepër hënës që padyshim ka ndikuar me një influencë të frikshme në karakterin e saj. Jo hënës së bardhë të dashuriçkave që ngjan me një nuse të ftohtë, por hënës së kobshme dhe dehëse që varet pezull në sfondin e një nate të stuhishme dhe shtyhet nga retë që rendin vrullshëm. Jo hënës së qetë dhe të turpshme që viziton gjumin e njerëzve të ndershëm, por hënës së shkulur nga qielli, të mposhtur, të revoltuar, të tmerruar që magjistaret e Thesalisë e detyrojnë të kërcejë me zor mbi bar[1].
Në ballin e saj të vogël bashkëjetojnë vullneti i çeliktë dhe dashuria për gjahun. Por, megjithatë, në pjesën e poshtme të këtij portreti shqetësues, ku hojzat e paqëndrueshme thithin të panjohurën dhe të pamundurën, shpërthen me një nur të pashprehshëm e qeshura e një goje kuqebardhë, aq të lezetshme saqë të duket sikur sheh një lule fantastike që ka mbirë për mrekulli mbi një terren vullkanik.
Ka femra që ta ndjellin dëshirën për t’i zotëruar, për t’u kënaqur me ato, ndërsa ajo të jep dëshirën të vdesësh qetësisht nën vështrimin e saj.
Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa. Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”
[1] Paragraf i frymëzuar nga kënga IV e “Pharsalia”, vepër e shkrimtarit romak Marcus Annaeus Lucanus. Pharsalia është një qytet i Thesalisë, në të cilin u zhvillua një betejë e rëndësishme gjatë luftës civile midis Jul Qezarit (Caius Julius Caesar) dhe Pompeit (Cneuis Pompeius Magnus).



